Sekretari Organizativ i LDK-së, Arban Abrashi ka deklaruar sot, duke aluduar në Lëvizjen Vetëvendosje, se secili subjekt politik që nuk respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të shikohet roli i saj në politikëbërje.

Abrashi, i cili është edhe deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës, takimin e sotëm të mandatarit për kryeministër Avdullah Hoti me grupin parlamentar të partisë, nuk po e sheh si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Abrashi: Ka tendenca që disa parti nuk do e respektojnë vendimin e Kushtetueses

“Ne, ditëve të fundit, kemi parë disa tendenca të disa subjekteve që nuk do të respektojnë, ose nuk e kanë thënë me gojën plotë që do të respektojnë vendimin e Kushtetueses. Ne si LDK do të respektojmë atë vendim çfarëdo që është. I bëjmë thirrje të gjitha subjekteve të tjera të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Mbi të gjitha në aktvendimin e fundit të presidentit ka thënë që është obligim i gjitha organeve publike të bashkëpunojnë dhe respektojnë vendimet e Kushtetueses. Prandaj nëse një subjekt politik nuk i respekton këto vendime, atëherë ai po vepron kundër Kushtetueses, prandaj duhet të shikohet edhe roli i tyre në politikbërje”, tha ai.

Sipas Abrashit programi qeverisës i tyre bazohet në dy shtylla, rimëkëmbjen ekonomike dhe menaxhimin e pandemisë.

Këtë program qeverisës tha se do të votojnë në mbledhjen e parë të qeverisë.

Abrashi: Programi i Qeverisë Hoti bazohet në dy shtylla

“Ne synojmë që mbledhjet e para të qeverisë, mos të them tani në mbledhjen e parë, të miratojmë edhe programin qeverisës i cili është në përputhje me interesat e vendit. Ai ka dy shtylla kryesore, së pari menaxhimi i pandemisë, synojmë të përfshijmë gjitha protokollet, veçanti ato të Komisionit Evropian dhe të jemi në harmoni me ato që të implementojmë në Kosovë që kanë të bëjnë edhe me lëvizje të lirë edhe me ndihmën ndaj bizneseve dhe shtylla e dytë me rimëkëmbjen ekonomike”, tha ai.

Takimin e sotëm, deputeti i LDK-së e arsyetoi me mos humbjen e kohës në periudhën e pandemisë.

Abrashi: Ky takim nuk është presion ndaj Kushtetueses

“Kjo nuk është një presion fare nuk ka të bëj me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Thjesht po përpiqemi që mos të humbim kohë”, tha ai.

Abrashi nuk e konfirmoi që në këtë takim është edhe kryetarja e Kuvendit, njëherit nënkryetarja e partisë, Vjosa Osmani, derisa nuk i komentoi deklaratat e nënkryetarit tjetër Haki Ruguva, se Osmani “nuk ka logjikë më të jetë pjesë e LDK-së”./ Tv Malisheva

Share.