Klinika e Mjekësisë Sportive në asnjërën nga valët e përhapjes së koronavirusit, nuk ka pasur më shumë pacientë. Vetëm për tri ditë në këtë klinikë të destinuar për trajtim të rasteve me COVID-19, janë mbushur të gjitha kapacitetet. Derisa, aktualisht janë duke u trajtuar rreth 90 pacientë, të paktë janë ata që janë të vaksinuar.
Drejtori i Klinikës së Mjekësisë Sportive, Artan Ahmeti flet për gjendjen në këtë klinikë dhe kapacitetet që kanë në dispozicion për trajtimin e këtyre rasteve.
“Realisht ndoshta edhe nën zero sepse një rritje kaq e shpejt nuk e kemi pasur asnjëherë në asnjë valë, ndërkaq numër kaq të madh të hospitalizuarve nuk e kemi pasur në asnjë valë deri tash. Është një numër shumë i madh dhe kërkesat për hospitalizim janë shumë të mëdha. Në Klinikën e Mjekësisë Sportive për tri ditë janë mbushur të gjitha kapacitete”, deklaron ai.
Vetëm në 24 orët e fundit në këtë klinikë janë pranuar 16 raste të reja, por Ahmeti thotë se gjendja e përgjithshme e tyre është stabile.
“Në Klinikën Infektive 2, në objektin e Mjekësisë Sportive aktualisht janë 95 mundësi për hospitalizim dhe kapacitet pothuajse janë të mbushura çdo ditë, por çdo ditë kemi edhe pranime dhe lirime. Kështu që vetëm gjatë 24 orëve të fundit i kemi pasur mbi 16 pranime dhe 13 lirime. Gjendja e përgjithshme e pacientëve është stabile, por kemi edhe të rëndë. Shumica e pacientëve janë me oksigjeno-terapi”, thotë Ahmeti.
Kjo valë e shpërndarjes së koronavirusit, Ahmeti thotë se ka dalluar grupmoshat e prekura.
“Mosha e re është më e prekur, mosha mesatare e përbën shumicën e pacientëve të hospitalizuar. Kurse sa i përket simptomalogjisë afërsisht është e njëjta edhe pse herë pas here dominon aspekti gastrointestinal… Në përgjithësi është mosha mesatare, sepse vaksinimi në këtë grup moshë ka ngel, shumë pak janë vaksinuar”, shton ai.
Qytetarët që po trajtohen në Mjekësinë Sportive rrallë janë të vaksinuar.
“Shumica e pacientëve janë të pavaksinuar. Pesë pacientë janë me një dozë të vaksinës dhe katër pacientë janë me dy doza të vaksinës”, thotë ai në intervistën
Drejtori i Mjekësisë Sportive, Artan Ahmeti tregon edhe për organizimet tjera që po bëhen për rritjen e kapaciteteve.
“Jemi në diskutim të hapjes së kapaciteteve të reja, të cilat po diskutohen. Ende nuk është ndonjë vendim i saktë se kur, sepse ende ka vende të lira në bazë të planifikimeve. Mirëpo, është edhe një llamellë tjetër e Mjekësisë Sportive, të cilën sapo e vizituam me drejtorin. Ku edhe aty ka një kapacitet afër 100 pacientë të cilët mund të trajtohen”, shprehet ai.
Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të respektojnë masat bazë anti-COVID, por që sipas tij, Ministria e Shëndetësisë duhet të vendos për masa të reja, meqë sistemi shëndetësor është i brishtë.
Në 24 orët e fundit janë konfirmuar mbi 2 mijë raste pozitive, ndërsa 16 persona kanë humbur betejën me këtë infektim. /TV Malisheva