“Ditë historike për lirinë, shpresën e PD-së, shoqërisë shqiptare në tërësi”. Kështu u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha, pas votimit në referendumin për shkarkimin e Lulzim Bashës. “I pari në 30 vite i thirrur nga anëtarësia e një partie politike për të shkarkuar peng kryetarin, me fjalë të tjera, atë që do hyjë në analet politike të Shqipërisë, si Lulzim Brava”. Jashtë qendrës së votimit, të vendosur para Ambasadës Amerikane, ish-kryeministri Sali Berisha iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për akuzat e ndërsjella mes tij, Bashës, por edhe SHBA-së.
Pas votimit në Bar Amerika, ish-kryeministri u dërgoi mesazh forcave konservatore në Europë e SHBA, se anëtarësia po ushtron votën e saj të lirë, kundër një kryetari që u mor peng.
“Po të marrësh në një aspekt tjetër, nga ky bar i vogël këtu, i dërgohet një mesazh forcave konservatore në Europë e SHBA, se anëtarësia po ushtron votën e saj të lirë, kundër një kryetari që u mor peng dhe pësoi metamorfozën më fatale që nuk e gjen as në romanet e Kafkës, metamorfozën e bravës”.
I pyetur nëse kjo është një betejë kundër SHBA-së, Berisha theksoi se ky është një revolucion demokratik dhe një betejë për lirinë dhe votën e lirë në Shqipëri.
“Nuk jam unë që merrem me protokollin e diplomatëve në Tiranë, ata kanë protokollin e tyre. Kjo nuk është betejë kundër asnjë vendi të lirë, e aq më tepër kundër SHBA-së. Është betejë për lirinë, për votën e lirë në Shqipëri. Kështu, unë mendoj se betejën kundër lirisë dhe vendeve të lira e bën Lulzim Brava, që deklaron se SHBA-ja pranoi plaçkitjen e votës nga Edi Rama, për shkak të Sali Berishës. Betejën time personale unë e kam në Gjykatën e Parisit. Ata që e cilësojnë antiamerikane këtë, janë njerëz të verbër, se në fakt ky revolucion më shumë se çdo lëvizje tjetër pas ’90, po mbjell në këtë vend vlera të lirisë, që janë të konsoliduara në SHBA, më shumë se kudo. Ky është një revolucion demokratik në kuptimin e vërtetë të fjalës, që do i rikthejë shqiptarëve votën e lirë, revolucion që nuk ndalet më nga asgjë. Edi Rama, jo të ndërrojë xhaketën, por edhe lakuriq po të dalë, nuk mund të ndalojë kurrë vrullin e këtij revolucioni”.
Përsa i përket përballjes në gjykatë, në lidhje me statutet e PD-së, Berisha u shpreh se: “Statutet shkojnë në gjykata jo për t’u hedhur poshtë apo për t’u miratuar, por shkojnë për t’u regjistruar. Gjykatësi i lexon nëse ato kanë nene që nuk përputhen me Kushtetutën e Shqipërisë. Patjetër që në këtë rast kanë të drejtë t’i refuzojnë gjykatat”.
Lidhur me akuzat për dosjen e “Toyota Yaris”, Berisha tha: “Unë nuk kam mbajtur asnjë sekret. Sa i përket “Toyota Yaris”, në dijeninë time, Prokuroria ka hapur një çështje, Lulzim Basha ka bërë deponimin. Unë Bashës i kam thënë që ti ke prishur hetimin. Unë di që ai është thirrur në hetim. Kam dëshmuar publikisht se çfarë i kam thënë atij. Drejtësia belge po e ndjek dhe kam besim se do t’i shkohet deri në fund”.
I pyetur nëse është i gatshëm që të përballet me SPAK pas shpalljes “non grata”, Berisha garantoi se ata do të mbeten duarbosh me fakte dhe prova.
“S’kam refuzuar kurrë asnjë lloj hetimi dhe ftoj DASH, çdo qeveri, çdo individ, të paraqesë çdo fakt e dokument që ka kundër Sali Berishës. Ju siguroj se sikundër deri sot, edhe 100 vjet të tjera, do mbeten duarbosh”./A2