Komisioni Evropian thotë se testet për COVID19 dhe “pasaportat korona” nuk janë një mënyrë e besueshme për të provuar mungesën e infeksionit me koronavirus dhe se ato nuk janë pjesë e rekomandimeve të Brukselit për rivendosjen e lirisë së lëvizjes dhe udhëtimit ndërkufitar.
Kur bëhet fjalë për testet COVID19 që kryhen në kufij ose janë të domosdoshme pak para udhëtimit, zëvendës presidentja e Komisionit Evropian Margrethe Vestager thotë se nuk ka prova shkencore të besueshmërisë së tyre.
“Ekspertët e shëndetit thonë se nuk ka asnjë provë që do të konfirmonte në mënyrë të sigurt nëse njerëzit janë të infektuar apo jo, ose nëse ata mund të jenë infektuar pas testimit. Kjo është arsyeja pse testet nuk janë pjesë e rekomandimeve tona,” tha Vestager.
Komisioni Evropian vlerëson se testet që do të konfirmojnë imunitetin ndaj virusit të koronës janë të pamjaftueshme për momentin.
“Organizata Botërore e Shëndetit dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve nuk rekomandojnë dokumente imuniteti për COVID19”, shpjegoi Komisioni.
Futja e dokumenteve të tilla mund të inkurajojë njerëzit që me qëllim të infektohen me COVID në mënyrë që të jenë në gjendje të udhëtojnë më vonë.
Në vend të testeve dhe “pasaportave të koronavirusit”, KE thekson se është e rëndësishme të zbatohen masa për kontrollin e situatës epidemiologjike, gjendjen e sistemeve shëndetësore, rritjen e kapaciteteve të testimit dhe monitorimit dhe, më e rëndësishmja, t’i përmbahen masave fizike dhe distancës fizike./ Tv Malisheva