Janë bërë homazhe dhe vendosur lule pranë fotografisë së ish-drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Ahmet Brahimaj i cili ka ndërruar jetë sot.

Pranë fotografisë së tij në shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës, është performuar edhe një shfaqje artistike. Ai u kujtua si njeri që dha shumë kontribut për baletin në Kosovë.

Me një performancë artistike nga trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, i është thënë lamtumirë sot ish-drejtorit të këtij institucioni.

Mes lotësh, artistët dhe bashkëpunëtorët e tij e kujtuan atë si njëri që ka shkolluar shumë gjenerata.

Ministrja në detyrë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi tha se Ahmet Brahimaj do t’i mungojë Kosovës.

Dumoshi: Ahmet Brahimaj dha kontribut të madh për baletin në Kosovë

“Njeriut i cili dha shumë kontribut për baletin, themeluesi i cili shkolloi gjenerata e gjenerata, performancën të cilën i ftova baletanët ta bëjnë këtë, performanca e tyre ishte shumë pikëlluese, me lot në sy e luajtën këtë performancë. Na pikëllon ikja e tij të gjithëve sepse ka qenë një njeri i dashur dhe do t’i mungojë Kosovës në fushën e baletit”, tha Dumoshi.

Ajo kujtoi takimin e fundit me të, duke shtuar se do të mbetet gjithmonë në mendjen e secilit bashkë me kontributin e tij që sipas Dumoshit është i pashlyeshëm.

Dumoshi: Me Ahmetin do të doja të vendosim gurthemelin e teatrit të operës dhe baletit

“Takimin e fundit në Prishtinë e ka pasur me mua, e kemi pas një takim një orë e gjysmë së bashku, kemi fol për planet, kulturën, teatrin. Unë si ministre do të doja që së bashku me Ahmetin të vendosim gurthemelin e teatrit të operës dhe baletit, por kështu qenka jeta. Ai do të mbetet gjithmonë në mendjen tonë, si një njëri shumë i dashur, por edhe kontributi i tij do të jetë i pashlyeshëm”, tha Dumoshi.

Ish-drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, ka ndërruar jetë sot dhe varrimi i tij bëhet në ora 16:00 në lagjen Haxhiaj të Novosellës së Pejës./Tv Malisheva

Share.