Aplikacioni eKesco, i cili u mundëson konsumatorëve të paguajnë faturat e energjisë elektrike online si dhe të jenë të informuar për çdo zhvillim që lidhet me furnizimin me rrymë ka arritur këto ditë në 50 mijë përdorues.
I lansuar gjatë vitit të kaluar, ky aplikacion po u shërben gjithnjë e më shumë konsumatorëve, sidomos në këtë kohë, kur daljet nga shtëpia janë të kufizuara.
“Për ne është shumë e rëndësishme që eKesco po u gjendet pranë tashmë 50 mijë konsumatorëve duke ua lehtësuar nevojat për informata në shërbimet e furnizimit me energji elektrike, sidomos në këtë kohë pandemie. Me këtë tregohet që KESCO është e përkushtuar të jetë pranë konsumatorëve”, thotë Naxhije Pajaziti-Arifaj, Drejtoreshë e Komunikimeve në KEDS/KESCO.
eKesco është duke iu ofruar shërbime të shumta konsumatorëve, ku pos pagesave që mund të kryhen përmes telefonit n ga cdo vend i botës, ofron informata për faturat, borxhin e papaguar, shkyçjet dhe rikyçjet, për ndërprerjet eventuale si pasojë e punimeve në rrjet dhe shumë informata të tjera.
Aplikacioni eKesco – mund të shkarkohet në telefonat e mençur dhe është pa pagesë. Përdoruesit e telefonave me sistem Android, këtë aplikacion mund ta shkarkojnë në PlayStore, ndërsa përdoruesit e telefonave iPhone mund ta shkarkojnë në AppStore.
Një udhëzues që u sqaron konsumatorëve se si të regjistrohen dhe ta përdorin këtë aplikacion gjendet në faqen e KESCO-s në internet.
Aplikacioni lejon disa persona të hapin llogari me njehsorin e njëjtë dhe një përdorues mund të ketë një ose më shumë njehsorë të regjistruar në llogari, sqarohet ndër të tjerash në manual.
KESCO është themeluar në janar të vitit 2015. Një nga reformat e ndërmarra nga institucionet përgjegjëse të sistemit energjetik në Kosovë, është edhe ndarja e Shpërndarjes dhe Furnizimit dhe KESCO është një nga ato reforma të cilat synojnë liberalizimin e tregut të furnizimit me energji elektrike./ Tv Malisheva