Në sallën “1 Tetori”, e cila tash e disa muaj është shfrytëzuar për vaksinimin kundër COVID-19, nga sot ka nisur edhe vaksinimi kundër gripit sezonal. Por shpërndarja e kësaj vaksine nga sot ka nisur të bëhet në gjithë Kosovës pasi nga Ministria e Shëndetësisë thonë se kanë arritur që 140 mijë dozat e siguruara t’i shpërndajnë me kohë në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare. Por përkundër që qytetarët e Kosovës janë imunizuar me vaksinën kundërCOVID-19, ata duhet ta marrin edhe atë kundër gripit sezonal, por gjithmonë dy javë pas marrjes së dozës së dytë të asaj kundër COVID-19.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha tha se këto vaksina do të merren nga personat e moshuar mbi 65-vjeç, ata me sëmundje kronike dhe profesionistët shëndetësorë.
“Përmes UNICEF-it jemi furnizuar me 140 mijë doza dhe të gjitha janë shpërndarë sipas planifikimit që bën IKSHPK njësia e vaksinimit dhe sot është dhënë edhe njoftimin në faqen e MSH-së ka filluar dhe vaksinimi me gripin sezonal do të jepet sipas indikacioneve për moshat mbi 65-vjeç, për personat me sëmundje kronike për persona që punojnë në sektorin e shëndetësisë dhe për fëmijët në rast me indikacione… Në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare sipas informacioneve që kemi është bërë shpërndarja”, tha Berisha.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinës, Bujar Gashi ka thënë se është fat se kësaj radhe këto vaksina erdhën në një kohë më të mirë sesa herët e kaluara.
Ai njoftoi për shkaqe teknike është vendosur që vaksinimi kundër gripit sezonal në kryeqytet të bëhet në “1 tetori”, ndërsa kanë në dispozicion 14 mijë doza të kësaj vaksine, por që zakonisht shfrytëzohen 12 mijë.
“Për shkak të sistemit dhe modulit të ri të futjes së të dhënave për qytetarët që marrin vaksinën gjë që nuk ka qenë më herë tash në këtë sistemin e ri shëndetësor duhet të futen të dhënat jo që QKMF nuk kanë sistem, por problem është te pajisjet dhe mbikëqyrja që është e pamundur në 10 qendra të mbikëqyret sepse bie sistemi. Procesi po shkon mirë jemi këtu që nga orët e hershme të mëngjesit nga ora 08:00 qytetarët veçse kanë filluar të vijnë dhe orët e pasdites do të rritet informimi te qytetarët… Vaksina kundër gripit sezonal ka mjaftueshëm, i kemi 14 mijë doza në stok, zakonisht i shfrytëzojmë 12 mijë aq është numri që kërkojnë qytetarët dhe do të ketë mjaftueshëm dhe kështu që nuk ka nevojë për t’u shqetësuar dhe krijuar grumbuj të njerëzve”, tha ai.
Drejtori i QKMF-së në Prishtinë, Bujar Gashi thotë se aktualisht kanë pesë ekipe që po bëjnë administrimin e kësaj lloj vaksine, por që varësisht nga interesimi i qytetarëve kanë kapacitete të tjera shtesë. Gashi beson që procesi i shpërndarjes së vaksinës kundër gripit sezonal do të përfundojë për një muaj.
“Kemi vendosur të punojmë me 5 ekipe në të njëjtën kohë dhe kemi menduar që është mjaftueshëm dhe në momentin që do të ketë kërkesa më shumë, kemi kapacitet të shtojmë edhe 6-7 ekipe që të punojnë në të njëjtën kohë, është e organizuar në tri pjesë… Zakonisht, brenda muajit përfundon i tëri brenda një muaji shumica e atyre që veçse planifikojnë të vaksinohen kryhet, nuk zgjat më shumë se një muaj, por ne nuk e ndërpremë pavarësisht që jemi në fund të tetorit do të jetë nëntorit dhe pjesa e dhjetorit, por ajo që preferohet nga ekspertët është që vaksinat të merret në muaji tetor dhe fillim të muajit nëntor dhe jo më vonë”, tha Gashi.
Lidhur me dilemat se a duhet të merret vaksina kundër gripit sezonal tashmë kur qytetarët janë imunizuar me atë kundër COVID-19, Gashi thotë se gjithsesi që duhet të vaksinohen edhe me këtë vaksinë, por që doza e vaksinës kundër gripit duhet të merret dy javë pas vaksinimit me dozën e dytë të COVID-19.
“Duke marrë parasysh që vaksinat kundër gripit është katër valente, është vaksinë për katër viruse dhe ka dallim virusi prej virusit. Është e arsyeshme që të merret dhe këtë e përcjelli te qytetarët, por qytetarët duhet të dinë se vaksina kundër gripit sezonal duhet të merret dy javë pas dozës së dytë të vaksinës kundër COVID, jo në intervalin kohor kur e kanë marrë vaksinën duhet të pritet dy javë dhe pastaj të vaksinohen me vaksinën kundër gripit sezonal”, tha ai.
Të moshuarit kishin mjaft interesim për të vaksinuar me vaksinën kundër gripit sezonal. Qysh herët në mëngjes në “1 Tetori” erdhi edhe Jahir Morina i cili thotë se nuk ka hezituar aspak për t’u vaksinuar.
“E marr çdo vit, e kam marr edhe vjet dhe të pleqërisë, e kam marr dhe gjithë i marr… Pasi dëgjova thash, po shkoj po e marr, e kam marr gjithë asgjë keq nuk më bën”, u shpreh ai.
Vaksinën kundër gripit sezonal edhe kësaj radhe e mori edhe Sabrie Krasniqi, e cila shprehet e kënaqur me organizimin e shpërndarjes së këtyre lloj vaksinave.
“E mora vaksinën, shumë mirë është duke shkuar, i falënderoj motrat, mjekët këta punonjës se ma mirë dhe mbarë nuk ka… Ne nuk e kemi dëgjuar lajmin, por një vajzë e kam profesoreshë, më tregoi që jepen sot vaksinat sot këtu dhe kemi ardhur… Për çdo vit e marrim dhe na ndihmon shumë”, u shpreh ajo.
140 mijë dozat e vaksinës kundër gripit sezonal në Kosovë kanë arritur gjatë ditës së martë. Për dallim nga vitet e kaluara imunizimi me këtë vaksinë po ndodh më herët, pasi vitet e kaluara ka pasur vonesa në administrimin e tyre ku zakonisht shpërndaje e vaksinës kundër gripit sezonal ka ndodhur në muajin dhjetor. /TV Malisheva