Të gjeturit e një punë është mjaft e vështirë ndonjëherë, por kjo nuk do të thotë që duhet që të gënjeni në CV dhe letër motivuese, për ta zënë atë vend pune. Madje të gënjyerit jo vetëm që nuk do t’ua sigurojë një vend pune, por edhe do ta bëjë atë çështje edhe më problematike.

Sipas një studimi të Monster Future of Work, 66 % e punëdhnësve u pajtuan që kandidatët i ekzagjerojnë aftësitë e tyre dhe përgjegjësitë e mëparshme në CV-të e tyre. Ndërsa, në një studim të Checkster, u gjet që 78% e aplikantëve gënjejnë dhe 66% e rekruterëve nuk interesohen rreth kësaj, megjithatë përqindja e rekruterëve që hulumtojnë për kandidatë mbetet ende e madhe.

  • 60% thanë se i zotëronin plotësisht aftësitë, të cilat në të vërtetë i zotëronin në mënyrë bazike.
  • 45% kanë dhënë arsye të rreme për largimin nga puna
  • 42.25% i fryjnë përvojat e fituara
  • 41.25% përdorën titullin drejtor, kur titulli aktual ishte menaxher
  • 39.25% thanë se kishin diplomë nga një universitet prestigjioz

Shumë kompani i kontrollojnë kandidatët, por megjithatë gënjeshtrat nga ata vazhdojnë të bëhen. Mbase për shkak se duan me patjetër që të marrin pjesë në intervistë dhe atje ta tregojnë veten, apo të tregohen më të mirë sesa kandidatët e tjerë në një formë apo tjetër.

3 arsyet më të zakonshme që kandidatët i bëjnë në CV

Zbukurimet e arsimit: Aplikantët tentojnë që ta plotësojnë bagazhin e tyre të arsimimit më shumë sesa e kanë në të vërtetë. Dikush mund të ketë përmendur që ka marrë diplomë në ndonjë nga shkollat profesionale prestigjioze, kur në realitet ka marrë vetëm disa klasa online në internet. Pra, ai nuk u diplomua atje e as nuk morri pjesë personalisht.

Çfarë të bëni: Në vend që t’i falsifikoni kredencialet tuaja akademike më mirë është të mendoni se çfarë të shtoni në CV-në tuaj për ta demonstruar ngritjen tuaj të arsimimit! Zhvillimin profesional, çmimet, mirënjohjet apo kurset dhe trajnimet shtesë.

Data e mashtrimit: Një mashtrim tjetër shumë i shpeshtë është kur aplikantët mundohen që t’i mbulojnë boshllëqet e punësimit duke i zgjatur datat për disa vende pune, ose duke e falsifikuar një punë të përkohshme.

Çfarë të bëni: Kjo është strategji e mirë për t’i mbuluar zbrazëtirat kohore të punës në CV, por më mirë është që ta tregoni të vërtetën. Pse nuk e përmendi që nuk keni punuar për shkak se jeni kujdesur për familjen, jeni kthyer në shkollë, apo keni punuar në një projektet të pavarur? Më mirë shpjegoni rrethanat në letrën motivuese dhe sigurohuni që ta theksoni se sa të përkushtuar jeni për ta gjetur një vend pune!

Rritja e aftësive: Shumë kandidatë i rrisin aftësitë e tyre teknike. Por kjo nuk i bën ata ekspertë vetëm pse e kanë përdorur një program disa herë. Apo tregojnë se sa të rrjedhshëm janë në një gjuhë, vetëm pse në shkollë të mesme e patën një vit që e mësonin.

Çfarë të bëni: Renditni më mirë vetëm ato aftësi, në të cilat jeni me të vërtetë të përgatitur.

Si mund të zbuloheni që po gënjeni?

Nëse mendoni që mund ta bëni për vete një punëdhënës me gënjeshtra, atëherë dijeni që ajo nuk është afatgjate. Nëse një punëdhënës bën lëshime në hulumtimin për një kandidat në fillim, kujtoni që nëse e zhgënjeni gjatë punës, ai do ta rishikojë CV-në tuaj.

Janë disa mënyra që gënjeshtrat në CV-në tuaj do t’ju zbulojnë:

Vlerësimet e aftësive: Sidomos nëse po aplikoni për një pozitë të aftë që përfshinë shkrim, kodim ose dizajnim, prisni që një punëdhënës t’ju testojë para se t’ju punësojë. Vlerësimet do ta shohin zotësinë tuaj dhe përvojën për një punë.

Hulumtimi i rrjeteve sociale: Nëse keni profile në rrjete sociale ose faqe në internet, është më mirë që të siguroheni që datat dhe faktet themelore të përputhen me CV-në!

Kontrollet e sfondit: Është shumë e lehtë që rekruterët t’i kontaktojnë ish-punëdhënësit dhe institucionet arsimore për t’i verifikuar të dhënat në CV.

Share.