Emisari special i presidentit të SHBA-së për dialogun, Richard Grenell ka konfirmuar datën e diskutimeve për dialogun Kosovë-Serbi në Uashington dhe ka treguar se çfarë mund të ndodhë nëse palët shprehen të pakënaqura me këto bisedime.

Ai në një postim në Twitter ka bërë të ditur se i është premtuar ndalja e fushatës së mosnjohjes.

“Lajm i madh. Kam marrë zotimin nga qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që përkohësisht ta pauzojnë fushatën e mosnjohjes dhe kërkesën për anëtarësim ndërkombëtar në mënyrë që të takohen në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, më 27 qershor për të biseduar rreth dialogut”, shkruan Grenell.

Grenell ka thënë se nëse secila palë është e pakënaqur me diskutimet e 27 qershorit, ata do të kthehen në status-quo pasi të largohen nga Uashingtoni.

“Siç kemi thënë vazhdimisht, së pari duhet të përparojmë në rritjen e ekonomive. Ky është fokusi. Mezi pres këto diskutime”, është shprehur Grenell./ Tv Malisheva

Share.