Ish ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari ka reaguar pas paralajmërimeve për pezullimin e konkurseve për pozitat e larta në ndërmarrjet publike-Telekom, Postë, KEK, Infrakos, KRU” Prishtina”, nga Qeveria e Kosovës, duke pyetur se ku do të shkojë kjo qeveri me këto veprime të jashtëligjshme, duke u munduar t’a pezullojë procesin e rregullt të konkursit, përmes ndërhyrjes direkte.
Hajdari ka shkruar veç e veç për të gjitha arsyet që ka dhënë qeveria për pezullimin e konkurseve, duke thënë se nëse kjo qeveri i paska këto arsye të pabaza për pezullim të konkurseve të zyrtarëve të lartë në ndërmarrjet publike, atëherë pritet të pezullojë të gjitha konkurset e planifikuara në të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet publike.
Opinioni i plotë Rozeta Hajdarit:
Gjersa ftohen sa më shumë profesionistë që të aplikojnë në konkurset e shpallura për kryeshefa dhe pozita të larta në ndërmarrjet publike-Telekom, Postë, KEK, Infrakos, KRU” Prishtina”, i gjithë kry process sipas ligjeve dhe rregullave, befasohem për të keq nga lajmet në media ( kallxo.com), që informojnë se qeveria e tanishme ka iniciuar pezullimin e këtyre konkurseve.
Një ndër arsyet për pezullim, sipas qeverisë, është se ndërmarrjet publike janë duke funksionuar me borde të përkohshme. Çfarë problemi paska kjo qeveri e tanishme me këto borde të përkohshme? Pikërisht këto borde të përkohshme të ndërmarrjeve publike, me drejtorë profesionistë shumë të përkushtuar, të emëruar nga Qeveria Kurti, janë duke punuar në rimëkëmbjen e këtyre ndërmarrjeve që i gjetën buzë falimentimit. Në realitet, ndryshimet me bordet e përkohshme janë për të shpetuar këto ndërmarrje publike, që janë shtyllë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
Bordi i përkohshëm, sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike, kryen të gjitha funksionet që i takojnë bordit të drejtorëve me mandat të plotë. Bordi emëron zyrtarët e lartë, siç janë kryeshefi ekzekutiv dhe zyrtari kryesor financiar. Pozitat e shpallura të zyrtarëve të lartë bazohen ekskluzivisht në Ligjin për Ndërmarrje Publike 03/L-087, i ndryshuar/plotësuar me Ligjet 04/L-111, 05/L-009 dhe 06/L-212, dhe ky ligj përbën bazën e vetme ligjore për vendimet për këto pozita në fjalë.
Qeveria pretendon se arësyet tjera për të pezulluar konkurset për zyrtarë të lartë janë vendimet e inspektoriatit të punës, pandemia COVID -19 dhe programi qeveritar 2020-2023. Por këto arësye nuk qëndrojnë!
Gjersa pozitat e shpallura të zyrtarëve të lartë bazohen ekskluzivisht në Ligjin për Ndërmarrje Publike, të pabaza janë vendimet e Inspektoriatit të Punës duke u thirrur në gjoja shkelje të Ligjit të Punës, me synim rikthimin e ish zyrtarëve të lartë të ndërmarrjeve publike. Shkarkimet e zyrtarëve të lartë të ndërmarrjeve publike, janë bërë pas shumë gjetjeve të shkeljeve, kurse baza ligjore për emërimin dhe shkarkimin e zyrtarëve të lartë është neni 21 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike; jo Ligji i Punës.
Arësyeja se mund të caktohen kushte tjera specifike per kryeshefa ekzekutiv të ndërmarrjeve publike, sipas programit qeveritar 2020-2023, poashtu nuk qëndron! Sepse, kushtet dhe kriteret e përzgjedhjes së zyrtarëve të lartë në ndërmarrjet publike, përcaktohen me nenin 21.4 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, si bazë e vetme ligjore për vendimet për pozitat e zyrtarëve të lartë në ndërmarrjet publike. Zyrtarët e lartë për ndërmarrjet publike zgjedhen dhe emërohen nga Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike, sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe jo sipas Ligjit të Punës.
As arësyeja lidhur me pandeminë COVID-19, nuk qëndron! Gjatë kohës së pandemisë në fjalë, gjersa isha ministre, kam marrë më shumë se 50 vendime, me urdhëresa, udhëzime e rregullore në vijim, për vetëm 100 ditë qeverisje të mirë.
Ku do të shkojë kjo qeveri me këto veprime të jashtëligjshme, duke u munduar t’a pezullojë procesin e rregullt të konkursit, përmes ndërhyrjes direkte të Aksionarit —Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit — në pavarësinë e Bordit. Aksionari nuk mund të ndërhyjë në punën e Bordit, aq më pak të anashkalojë bazën ligjore të emërimit të zyrtarëve në ndërmarrjet publike.
Por nëse kjo qeveri i paska këto arësye të pabaza për pezullim të konkurseve të zyrtarëve të lartë në ndërmarrjet publike, atëherë pritet të pezullojë të gjitha konkurset e planifikuara në të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet publike.
Çdo veprim tjetër do të jetë përpjekje për ta zhbërë punën e mirë që Qeveria Kurti ka bërë në dobi të interesit publik #meKryeministrin/ Tv Malisheva