Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka folur për gjykatën speciale, e cila ka paralajmëruar aktakuza ndaj krerëve të UÇK-së.

Haradinaj ka thënë se i dhimbsen djemtë e Kosovës, për fatkeqësinë e të cilëve po bëhet gëzim i madh në Kosovë.

“Më dhimben djemtë tanë kur shoh gëzimin e Moskës dhe Beogradit. Ne duhet ta kuptojmë se nga na vijnë goditjet. Ne jemi shtet i vogël, jemi shtet i ri, me kapacitete të limituara. Duhet t’i ruajmë djemtë tanë”, tha Haradinaj në Rubikon.

Haradinaj ka thënë se ka pasur një dorë të fortë si influencuese prapa kësaj gjykate, por ka thënë se nuk dëshiron të flasë mbi konspiracione.

“Shihet që ka pas një dorë të fortë, por nuk dua të hyj në konspiracione. Sendi i parë për të cilin duhet të jemi të qartë, që ne jemi shumë krenar me Shtëpinë e Bardhë. Si rezultat i përkrahjes së saj jemi këtu ku jemi”, theksoi ai.

Ai ka thënë se Specialja është gjykatë raciste. Shefi i deputetëve të AAK-së ka thënë se për krimet brutale të Serbisë, ende askush nuk ka marrë përgjegjësinë.

“Kjo është gjykatë raciste. Të gjithë e dimë çfarë ka bërë Millosheviqi. Pardje u përkujtua Srebrenica, askush nuk ka marrë përgjegjësi”, ka theksuar ai./ Tv Malisheva

Share.