Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se është e pajustifikueshme që punëtorët kosovarë ende nuk i kanë marrë 170 eurot e premtuara nga Qeveria.
Haradinaj ka thënë se me rishikimin e buxhetit ato para mund t’u jepen së shpejti punëtorëve, por sipas tij kjo nuk zgjidh problemet dhe duhen ndërhyrje të reja.
“Ideja e 170 eurove për të punësuar, ka qenë ide që pjesshëm e mbulon gjendjen. Nuk justifikohet vonesa e këtyre parave, por duhet vepru edhe më tutje, edhe me masa të tjera. Do të votohet buxheti së shpejti dhe këto 170 euro mund t’i marrin punëtorët, por këto nuk i zgjidhin problemet. Duhet me lëshu sa më shumë para që është e mundshme”, tha Haradinaj në një intervistë për Gazetën Blic.
Haradinaj ka folur edhe për idenë që të gjithë qytetarëve të Kosovë t’u jepen nga 100 euro, por tha se kjo gjë nuk është përkrahur në koalicionin qeverisës.
“Ne kemi pas një ide që të gjithë banorëve t’u shpërndahet një shumë e caktume, mirëpo u krijuar një shumicë për pakon fiskale”, tha ai.