Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se do t’i drejtohen Gjykatës Supreme për rastin e Shemsedin Dreshajt, dume besuar se ky vendim i padrejtë i PZAP do të hidhet poshtë.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se me gjithë përkushtimin e Aleancës që të respektojë procesin e certifikimit të kandidatëve, sot është i shqetësuar me shpërfilljen e skajshme, që PZAP i ka bërë fakteve në rastin e Dr. Shemsedin Dreshajt.

“Vërejtja gjyqësore që Dr. Dreshaj ka marrë para 3 viteve është konsumuar më 16.01.2021 përderisa afati i dorëzimit të listave është përmbyllur me 18.01.2021 dhe KQZ morri vendim që afati 3 vjeçar të përcaktohet me datë të certifikimit. Megjithë konsumimit tre vjeçar të përcaktuar me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe Vendimit të KQZ-së për lidhjen e afatit me certifikim, PZAP ka shkelur në mënyrë flagrante Vendimin e Kushtetueses, Vendimin e KQZ-së dhe të drejtën themelore për kandidim. Aleanca do t’i drejtohet Supremes për rastin e Dr. Dreshaj dhe mbesim me besim të plotë që ky vendim i padrejtë i PZAP do të hidhet poshtë. Tendencat për qasje selektive edhe kur respektohen institucionet siç ndodhi sot me zëvendësimin e tre kandidatëve që bëri Aleanca, shpërfaq një orkestrim për dëmtim të demokracisë dhe sundimit të ligjit”, ka shkruar ai.

Share.