Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka mbajtur sot mbledhje me ç’rast deputetë të kësaj partie janë deklaruar se do të respektojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese rreth mandatarit.

Po ashtu, temë e diskutimit ishte menaxhimi me pandeminë COVID-19, ku deputetët e AAK-së adresuan kritika për keqmenaxhim të parasë publike.

Deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu tha se kjo parti do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth emrit të mandatarit për formimin e qeverisë së re, pavarësisht se cili do të jetë ai.

Haxhiu: AAK, shembull i respektimit të Kushtetutës

“Jemi në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Aleanca si gjithmonë ka treguar pjekuri politike, e në atë rend jemi edhe sot, dhe gjithmonë do të jemi shembull i respektimit të Kushtetutës, ligjeve he gjithçka tjetër që i atribuohet ndërtimit të shtetit”, tha Haxhiu.

Ndërsa, deputetja dhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj tha se sot është dorëzuar një kërkesë në Prokurorinë e Shtetit për hetimin e dyshimeve për keqpërdorime gjatë pandemisë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Reshitaj: Dyshime për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të parasë publike

“Diskutuam për ndodhitë e fundit sa i përket dyshimeve për shkelje nga Ministria e Shëndetësisë sa i përket menaxhimit me Covid-19. Unë si kryetare e Komisionit për Shëndetësi nga radhët e AAK-së, i njoftova kolegët për punën që ka bërë komisioni që nga mesi i shkurtit dhe gjithë monitorimin që e kemi bërë institucioneve përgjegjëse relevante të ndërlidhura me përgjegjësi nga Ministria e Shëndetësisë. Gjithashtu, i kam njoftuar edhe me kërkesën që ne si komision sot e kemi përpiluar për ta dërguar në Prokurorinë e Shtetit, me pretekst në dyshime për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të parasë publike të buxhetit të Kosovës nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Reshitaj.

Ndërsa deputeti Arbër Tolaj adresoi kritika ndaj Ministrisë së Shëndetësisë për menaxhimin dhe shkeljen e dyfishtë kushtetuese me masat e ndërmarra gjatë kohës me pandemi.

Tolaj: Ministria e Shëndetësisë ka bërë shkelje në vazhdimësi

“AAK, sot, ka mbajtur takim të rregullt konsultativ, në të cilin diskutoi për çështje me rëndësi, tejkalimin i krizës, përmbajtjen dhe vendimet e Komisionit për Shëndetësi, si dhe shkeljet e bëra nga Ministria e Shëndetësisë në vazhdimësi. I diskutuam edhe rastet e qytetarëve që janë ndëshkuar pa meritë, për shkak të shkeljes së Kushtetutës dy herë radhazi nga qeveria në ikje”, tha Tolaj. /Tv Malisheva

Share.