Në seancën e djeshme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani e cila vjen nga radhët e LDK-së, ka pasur një përplasje me deputetin e po kësaj partie, Driton Selmanaj.

Por kjo përplasje ndërmjet dy anëtarëve të LDK-së, nga nënkryetari i këtij subjekti politik, Lutfi Haziri po shihet më shumë si komunikim institucional sesa personal.

Haziri tha se ashpërsia e kryeparlamentares, Vjosa Osmanit të mos shihet si raporte personale me deputet, por menaxhim i seancës.

Megjithatë, ai tërthorazi lë fajtore Osmanin, pasi që Driton Selmanajn po e konsideron si “truri i Kuvendit”.

Haziri: Driton Selmanaj është “truri i kuvendit”

“Ju duhet me u mësua me e njohur edhe anën tjetër të Vjosa Osmanit sepse kryetare Kuvendit dhe do mbetet përkundër që qeveria e ka humbur bes imin me 82 vota. Por ajo është në detyrë dhe ajo e menaxhon sipas rregullores së punës. Natyrisht që Driton Selmanaj është një deputet i mirë, profesionist i mirë është kryetari i komisionit funksional që i bie të jetë truri i Kuvendit të Republikës dhe komunikimi në parim dhe ashpërsia e Vjosës mos të lexohet si raporte personale. Ato janë menaxhim i seancës dhe zbatim i kushteve të udhëheqjes së një seance e cila shpeshherë tek ne po del e tensionuar… Janë raporte krejt institucionale komunikim institucional zbatim i rregullores në një formë më të ashpër sesa që jeni mësua me pa, por që toleranca vendoset nga kryesuesja e seancës e jo nga deputetët”, tha Haziri.

Deri te kjo përplasje erdhi kur Osmani tha se i është drejtuar Komisionit për Legjislacion për t’i identifikuar masat që duhet t’i ndërmarr Kuvendi, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa Selmanaj tha që interpretimi i kryeparlamenta res është përpjekje për legjitimimin e qeverisë Kurti./Tv Malisheva

Share.