Për shkak të përhapjes së koronavirusit, shumë ngjarje sportive janë anuluar apo janë shtyrë, duke përfshirë edhe ngjarje me rëndësi për hendbollin kosovar.

Sa i takon kampionateve evropiane për hendbollistë të rinjë, Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) ka vendosur që ngjarjet t’i shtyjë për në janar të vitit të ardhshëm.

Në korrik është dashur të mbahen kampionatet evropiane të grupmoshës U20, ndërsa në gusht kampionatet evropiane të grupmoshësU18 për hendbollistë.

Kosova U20 merr pjesë në njërin nga dy Evropianët e Divizionit B në këtë grupmoshë. Kosova do të garojë në Riga të Letonisë. Evropiani në Riga të Letonisë do të mbahet prej 8 deri më 17 janar 2021.

Kosova U20 është në grupin B së bashku me Bjellorusinë, Maqedoninë e Veriut, Luksemburgun dhe Bullgarinë. Pas ndryshimit të terminit, grupi duhet të konfirmohet deri më 12 qershor. Në grupin tjetër janë Rumania, Turqia, Gjeorgjia, Letonia, Britania e Madhe dhe Belgjika.

Kosova U18 merr pjesë në Evropianin e Divizionit B që mbahet në Podgoricë të Malit të Zi. Evropiani U18 në Mal të Zi mbahet prej 25 deri më 31 janar të vitit 2021. Kosova U18 është në grup me Holandën, Turqinë dhe Malin e Zi. Në grupin tjetër janë Rumania, Luksemburgu, Letonia e Azerbajxhani. Mbahen Evropianë të Divizionit B edhe në Bullgari e Maqedoni të Veriut, por që duhet të konfirmohen deri më 12 qershor./ Tv Malisheva

Share.