Mandatari për formimin e qeverisë Avdullah Hoti ka dalë me plane rreth zbatimit të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike të qeverisë së re të Kosovës.
Ai ka thënë se mbi 1 miliard euro do të jetë shuma për zbatimin e Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike, ku një pjesë e konsiderueshme e këtyre mjeteve do të futen në ekonomi sivjet, për të mbështetur bizneset që të qëndrojnë në treg dhe të mbajnë punëtorët në punë.
Ndërkaq, në vitet në vijim do të mbështeten investimet private dhe publike që krijojnë vende pune në prodhim, bujqësi, teknologji dhe sektorë me vlerë të shtuar, ka shkruar Hoti në Facebook.
Në zbatimin e masave të kësaj pakoje do të përfshihen odat ekonomike, bankat, shoqatat e profesionistëve, institucionet akademike, komunat, investitorë nga diaspora jonë dhe partnerët ndërkombëtar që mbështesin zhvillimin e Kosovës.
“Legjislacioni i nevojshëm për zbatimin e kësaj pakoje do të procedohet në Kuvend menjëherë pas formimit të Qeverisë së Re. Kjo pako është pjesë e Programit të Qeverisë së Re, që është duke u harmonizuar me të gjithë partnerët e koalicionit qeverisës”, ka thënë Hoti./ Tv Malisheva