Kryeministri i zgjedhur i Kosovës, Avdullah Hoti në mbledhjen e parë me kabinetin qeveritar tha se do të fuqizojnë miqësinë me partnerë ndërkombëtar të shtetit, dhe se do të marrin përsipër procesin e dialogut me Serbinë.

Hoti, i cili u votua kryeministër dje në Kuvendin e Kosovës, tha se prioritet i qeverisë që ai e udhëheq është të luftojnë pandeminë Covid-19, të rimëkëmbjen ekonominë dhe të forcojnë shtetin ligjor.

Me gardë ceremoniale, i vetëm, Avdullah Hoti arriti sot në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës dhe detyrën nuk ia dorëzoi Albin Kurti, i cili deri sot udhëhoqi me qeverinë.

Hoti, me të gjithë kabinetin qeveritar mbajtën mbledhjen e parë të qeverisë, që është e karakterit ceremonial.

Në fjalimin e tij të parë në ekzekutiv, Hoti përmendi miqësinë me ndërkombëtarët dhe dialogun me Serbinë.

Hoti: Do të fuqizojmë miqësitë tona me partnerët ndërkombëtarë

“Prioritetet tona janë, përveç luftës kundër kësaj pandemie dhe rimëkëmbjes ekonomike, forcimi i shtetit ligjor, fuqizimi i miqësive tona me partnerët tanë ndërkombëtar, marrje përsipër në baza kushtetuese të procesit të dialogut, adresimi i nevojave në arsim, në shëndetësi, në arsim në veçanti duke pasur parasysh kushtet që janë krijuar tash për shkak të pandemisë, dhe në veçanti të shëndetësia për të krijuar kapacitete afatgjata të sistemit tonë shëndetësor, për të përballur situatën me pandeminë, por edhe fusha të tjera, një program shumë i pasur i zhvillimit ekonomik në sektor të ndryshëm”, tha Hoti

Hoti tha se do të nisin menjëherë me adresimin e sidave, që sipas tij, pandemia dhe çështjet e rimëkëmbjes ekonomike janë prioritet.

Hoti: Do të jemi llogaridhënës para gjithë deputetëve të Kuvendit

“Qeveria e re e ka për obligim t’i japë frymë demokracisë sonë të brendshme, në respektim të rendit të ligjit dhe t’i nënshtrohet vetëm Kushtetutës së vendit. Do të punojmë bashkë në realizimin e një programit qeverisës mes gjithë partnerëve të këtij koalicioni, duke qenë llogaridhënës para gjithë deputetëve të Kuvendit ë Kosovës, pozitë e opozitë, duke vendosur një diskurs të ri në skenën politike në vend. Është një program ambicioz të cilin e kemi dakorduar së bashku në javët e fundit, unë besoj në atë program, besoj në këtë ekip të shkëlqyeshme nga partnerët e koalicionit që kanë ofruar”, tha Hoti.

Avdullah Hoti, i cili erdhi në pushtet nga një marrëveshje politike pas rrëzimit të qeverisë, tha se për herë të parë një Qeveri e Kosovës do të ketë një program që merr parasysh nevojat që kanë grupet e caktuara të shoqërisë në Kosovë, duke theksuar arsim cilësor dhe shërbime më të mira në shëndetësi.

Hoti falënderoi mjekët, policët dhe shërbimet e tjera për punën e kryer gjatë pandemisë COVID-19, ndërkohë shprehu ngushëllime për familjet e viktimave të cilave u zotua se qeveria do t’u qëndrojë pranë.

Avdullah Hoti u kthye në qeveri dy muaj pasi Albin Kurti e shkarkoi nga posti i zëvendëskryeministrit pak orë pas rrëzimit të qeverisë më 25 mars./Tv Malisheva

Share.