Kuvendi i Kosovës dështoi t’i votojë sot pesë marrëveshje ndërkombëtare në mungesë kuorumi.

Kjo ka nxitur reagimin e kryeministrit Avdullah Hoti i cili ka thënë se projektligjet në fjalë janë të një rëndësie të veçantë për shkak se janë marrëveshje ekonomike për projekte investuese dhe zhvillimore në Kosovë.

Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se qytetarët e Kosovës kanë nevojë urgjente për mbështetje institucionale, ndërsa Qeverisë së Kosovës duhet t’i lejohet të vazhdojë me implementimin e masave në kuadër të pakos për rimëkëmbje ekonomike.

Hoti u bën thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të marrin përgjegjësi kushtetuese dhe të votojnë projektet zhvillimore dhe fondet mbështetëse për infrastrukturë.

“Në Kuvend duhet t’i hapet rrugë diskutimit për buxhetin e rishikuar, që t’i dalim në krah bizneseve të cilat rrezikojnë të shuhen, t’i dalim në krah punëtorëve që nuk i kanë marrë pagat, të mbrojmë prodhimin vendor dhe t’i mbështesim qytetarët në nevojë”, është shprehur Hoti.

Ndryshe, marrëveshjet ndërkombëtare që nuk kaluan për shkak të kuorumit janë: Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e vendit tonë në Programin e Bashkimit “Dogana 2020” dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes BE-Kosovë mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së “Fiskalis 2020”.

Këto projektligje pritet të procedohen serish në njërën nga seancat e ardhshme të Kuvendit. /Tv Malisheva

Share.