- Reklamë e sponsorizuar -

Kryeministri Avdullah Hoti deklaroi sot se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme me Serbinë, e cila do të përfundojë me njohje reciproke ndërmjet dy shteteve.

Ai gjatë një takimi me përfaqësuesin special të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Arne Bjornstad, ka informuar diplomatin norvegjez lidhur me prioritetet e Qeverisë së Kosovës, veçmas për menaxhimin dhe parandalimin e pandeminë COVID–19 dhe rimëkëmbjen ekonomike.

Duke folur për agjendën dhe orientimin e integrimit të plotë euroatlantik të Kosovës, kryeministri Hoti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat.

Në këtë kontekst, ai pohoi se të dyja vendet duhet ta thellojnë edhe më shumë bashkëpunimin dypalësh në interes të dy vendeve dhe popujve tanë.

Ndërsa, Bjornstad ka siguruar kryeministrin Hoti se Norvegjia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj të integrimit evropian. /TV Malisheva

- Reklamë e sponzorizuar -