Arkitekti Arianit Bytyçi, i ka shkruar letër krerëve institucionalë, duke i kërkuar respektim të bazës ligjore tek çështja e shpalljes së konkursit ndërkombëtar të arkitekturës për memorialin e 1432 fëmijëve të vrarë të Kosovës.
“Çdo tentim i tejkalimit apo devijimit të kësaj baze ligjore, me qëllim të trajtimit të këtij projekti përmes procedurave të mbyllura apo procedurave të negociuara, që do të pamundësonte konkurrencën e projekteve të arkitektëve, skulptorëve e dizajnerëve vendorë e ndërkombëtarë, është e jashtëligjshme”, thekson Bytyçi.
Ai po ashtu kërkon koordinim të të gjitha ministrive përgjegjëse dhe institucioneve tjera publike që merren me memorialet e luftës, që të harmonizohen që këto konkurse të ngriten në nivelin e organizimit të konkurseve ndërkombëtare të projektimit, në mënyrë që çështja e dokumentimit të luftës çlirimtare të Kosovës dhe e gjenocidit serb në Kosovë të riafirmohet në nivelin ndërkombëtar me qëllim të rikthimit të kujtesës së opinionit dhe faktorit ndërkombëtar për domosdonë e gjykimit të gjenocidit serb në Kosovë.
Arkitekti Bytyqi propozon edhe që të themelohet një grup punues ndërinstitucional që do të merret me përgatitjen e konkurseve ndërkombëtarë për: Memorialin e 1432 fëmijëve të vrarë të Kosovës nga viti 1981 deri në vitin 1999; Muzeun e Luftës së UÇK-së; Muzeun e Gjenocidit; dhe Monumentin e Lirisë dhe të Pavarësisë.
Sipas tij, ky grup duhet të punojë shumë edhe në caktimin e jurive profesionale kredibile për projektet e lartpërmendura, dhe që emrat e anëtareve të jurisë të bëhen publikë me qëllim të rritjes së transparencës dhe të kredibilitetit të proceseve të këtyre konkurseve.
Duke vlerësuar iniciativën e Nusret Pllana për ndërtimin e një memoriali për fëmijët e Kosovës, arkitekti Arianit Bytyçi në letrat e tij ka theksuar se “për arsye të nismës së ndërmarrë nga z.Nusret Pllana dhe ekipi i tij për ndërtimin e këtij memoriali të fëmijëve, ai do të duhej të përfshihet në ekipin profesional në mënyrë që detyra projektuese të përfshijë edhe të dhënat për vrasjen e fëmijëve të Kosovës nga forcat serbe, të dhëna të publikuara në formë të librit nga Pllana” tha Bytyçi.
Është me rëndësi të potencohet se iniciativa e arkitektit Arianit Bytyçi për shpalljen e një konkursi ndërkombëtar të arkitekturës për Memorialin e 1432 fëmijëve të vrarë të Kosovës nga viti 1981 deri në vitin 1999, ka gjetur përkrahje të gjërë nga komuniteti i arkitektëve të Kosovës. Së fundmi, edhe arkitekti i njohur kosovar, prof.dr.Bujar Demjaha pas deklarimeve se edhe ai është autor i Memorialit të fëmijëve të prezentuar në publik, në një postim në facebook duke komentuar debatin e organizuar në Edicionin Special të Klan Kosovës, ka theksuar se pajtohet me kolegun Arianit Bytyçi dhe e përgëzon atë për siç thotë “qartësimin e procedurave që duhet të ndiqen – qasjen insitucionale”. Arkitekti Demjaha qartëson po ashtu opinionin publik se autor i memorialit nuk është ai, por se “kontributi im ka qenë minor dhe atë në formë konsulencë për çështje teknike dhe atë pas përzgjedhjes së projektit ideor të autorit Rrezeart Galica”.