108 anëtarë i kanë japur përgjigje pozitive Isa Mustafës në pyetjen se a pajtohen që LDK të marrë mandatin për formimin e qeverisë në koalicion me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe komunitetet, ndërsa gjashtë janë shprehur kundër dhe dhjetë nuk janë përgjigjur fare.

Kreu i LDK-së ka konstatuar ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese për formimin e qeverisë.

Isa Mustafa ka falënderuar anëtarët e këshillit duke treguar sa 124 anëtarë aktual, letrës së tij i janë përgjigjur 114.

Ky është shkrimi i Isa Mustafës:

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm,

Ju falënderoj për shprehjen e qëndrimit tuaj në letrën që ua përcolla më dt. 12 prill dhe plotësimin e saj më 13 prill 2020.

Kam nderin tu njoftoj se deri në përfundim të afatit të shprehjes së qëndrimit tuaj, sot më 14 prill 2020 në ora 16:00, në pyetjen e shtruar: A pajtoheni që LDK ta marrë mandatin për formimin e Qeverisë, në qoftë se ky mandat ofrohet duke ndjekur procedurat kushtetuese dhe të bëjë përpjekje të formojë Qeverinë në koalicion me AAK-në, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe komunitetet, nga 124 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 114 anëtarë të KP, prej tyre 108 janë shprehur për (po), 6 janë shprehur kundër (jo) dhe 10 nuk janë përgjigjur.

Në bazë të kësaj, si Kryetar i LDK-së konstatoj se ekziston vullneti i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës për marrjen e mandatit mbi bazën e ndjekjes së procedurave kushtetuese, për formimin e Qeverisë në një koalicion të mundshëm me AAK, Nisma SOCIALDEMOKRATE-AKR dhe partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me respekt,

Kryetari i LDK-së

Isa Mustafa/ Tv Malisheva

Share.