Demokraci Plus ka publikuar raportin e monitorimit të aktiviteteve të prokurimit “Komuna të vogla, probleme të mëdha në prokurim”, i cili përfshin 16 tenderë në katër komuna joshumicë, atë të Graçanicës, Mamushës, Shtërpcës dhe Novobërdës.

Sipas një komunikate të Demokracia Plus, për secilën komunë janë monitoruar nga 4 tenderë, që nga inicimi i aktivitetit të prokurimit e deri në zbatim të kontratës.

“Në gjetjet e D+ janë evidentuar edhe shkelje të cilat janë karakteristikë e komunave specifike, disa prej të cilave janë: Në dosje të tenderit kërkohet që para nënshkrimit të kontratës fituesi ta dorëzojë vërtetimin nga gjykata se pronari, drejtori ose menaxheri i saj nuk janë dënuar gjatë dhjetë viteve të fundit për ndonjë vepër penale dhe se fituesi i kontratës nuk ka qenë i falimentuar apo insolvent.

Për të katër komunat kjo kërkesë konsiderohet e plotësuar edhe nëse fituesi paraqet vërtetim për vetëm njërin nga këto elemente. Komuna e Graçanicës ka nënshkruar kontratë me vlerë rreth tre milion euro, mirëpo ky tender nuk gjendet në planin e prokurimit për vitin 2019, ndërsa buxheti i planifikuar sipas Ligjit për Buxhetin e vitit 2020 është vetëm 300 mijë euro për tri vite (2020, 2021, 2022).

Në po të njëjtin aktivitet, komuna ka bërë gabime të shumta, duke mos llogaritur si duhet sigurinë e tenderit dhe atë të ekzekutimit të kontratës. Komuna e Mamushës nuk ka kërkuar që kompania e cila është tërhequr para nënshkrimit të kontratës të diskualifikohet nga pjesëmarrja në tenderë në të ardhmen. Kur tërhiqet fituesi i kontratës dyshimi është gjithmonë që fituesi me kompaninë e cila është renditur e dyta janë marrë vesh për ta kurdisur fituesin e tenderit për një çmim më të lartë.

Komuna në një aktivitet tjetër ka kërkuar certifikata ISO që nuk kishin të bëjnë fare me natyrën e projektit, ndaj si rezultat i kësaj ka ofertuar vetëm një kompani, e cila i kishte të gjitha certifikatat. Komuna e Shtërpcës ka shpërblyer me kontratë kompaninë Linda SH.P.K., pronari i së cilës është dënuar për vepër penale, teksa rasti i tij ka qenë i raportuar në medie dhe përmendet në një vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Me këtë veprim komuna ka shpërblyer me kontratë një kompani, e cila sipas Ligjit të Prokurimit Publik nuk ka pasur të drejtë të marrë pjesë fare në tender. Në dy tenderë komuna e Novobërdës ka rekomanduar për kontratë kompani që kanë ofruar çmime abuzuese dhe jonormalisht të ulëta.

Përdorimi i procedurës me poentim mund të shkaktojë pasiguri te ofertuesit pasi nuk mund t’i dinë paraprakisht sasinë që do të porositen, ndërsa rreziku është që një operator ekonomik (OE) të ketë informata për sasitë që do të porositen dhe të japë çmime shumë të larta në ato që porositen më shumë dhe më të ulëta në ato që porositen më pak”, thuhet në komunikatë.

Më këtë rast, për këto 4 komuna joshumicë Demokraci Plus jep rekomandim të kërkojnë nga fituesi i kontratës vërtetimin nga Gjykata Themelore që një drejtor ose menaxher i saj nuk është dënuar gjatë dhjetë viteve të fundit për ndonjë vepër penale, në përputhje me nenin 65 paragrafi 3 dhe 3.1 të LPP-së;

“Një nga kërkesat kryesore të dosjes së tenderit është që OE të dëshmojë që ka kontrata të realizuara në tri vitet e fundit. Kërkesa duhet të jetë që OE të dorëzojë një listë të projekteve të realizuara të cilat mbulojnë një shumë të caktuar të kërkuar nga AK. Nuk duhet që të kufizohet konkurrenca me kërkesë për numër të caktuar të projekteve të realizuara”, thuhet në komunikatë./Tv Malisheva

Share.