Është bërë konstituimi i Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-I9” nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Në këtë mbledhje të parë, lista e personave që do të ftohen për intervistim ka ngjallur debat në mes deputetëve anëtarë të këtij komisioni.
Eliza Hoxha nga PDK, që edhe është deputetja iniciuese e këtij komisioni, ka treguar disa nga arsyet që kanë dërguar deri te kërkesa për formimin e këtij komisioni.
“Vendimmarrja e qeverisë ishte me dy shkelje kushtetuese. Vdekja e Agon Musliut në karantinë, si kanë shkuar kriteret për karantinë. Mungesa e testeve, furnizimi me barna dhe testet e ardhura nga Serbia, dhe efekti ekonomik i pandemisë”, tha ajo.
Deputeti i AAK-së Shkumbin Demalija, ka kërkuar që në komision të ftohet edhe ministri i ri i Shëndetësisë Armend Zemaj, për shkak të deklaratave se ka pasur keqpërdorime nga ministri paraprak.
“Të ketë edhe zgjerim të hetimeve. Të jetë edhe ministri i ri i Shëndetësisë si dëshmitar, të shihet vërtetësia e deklaratave të tij”, tha ai.
Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, tha se lista e personave duhet të plotësohet.
“Te lista e dëshmitarë duhet të plotësohet dhe të ndryshohet. Më shumë keni futur në listë mjekët sesa përgjegjësit institucionalë. I pari që duhet ta intervistojmë janë nga Ministria e Shëndetësisë, ministrin Vitia, zëvendësministrin, menaxhuesit e qendrës së karantinës. Zëvendësministri i Punëve të Brendshëm dhe përgjegjësit e qendrës operative të kësaj ministrie. Komplet IKSHPK dhe Klinika Infektive qenkan këtu, unë mendoj se duhet të bazohemi te bartësit e këtyre institucioneve. Hetimi duhet të jetë i paanshëm”, tha ai.
Ndaj deklaratës së deputetit Haxhiu, ka reaguar kryetarja e Komisionit, Mimoza Kusari, e cila tha se lista e dëshmitarëve mund të zgjerohet.
“Ju thatë të mos bëjmë politikë, por ju bëtë politikë. Folët për abuzime, u përmend një rast tragjik. Unë në të gjitha këto e di që ose ka proces ligjor apo edhe nëse ka blerja abuzive mundemi me thënë se ka dyshime për abuzime. Lista e dëshmitarëve mund të zgjerohet”, tha ajo.
Bekim Haxhiu i PDK-së, iu përgjigj kryetares së komisionit se nuk është komentuese e deklaratave të tyre.
“Jeni vetëm kryesuese dhe jo komentuese e deklaratave tona. Sa i përket blerjes abuzive të barnave, ka pasur raportime në media të blerjes abuzive të barnave”, tha ai.
Ekrem Hyseni i LDK-së ka kundërshtuar që në komision të ftohet ministri aktual i Shëndetësisë Armend Zemaj.
“Ideja e përfshirjes së ministrit të ri nuk është ide e mirë. Sa i përket vlerësimit të punës së tij, duhet të jetë ndoshta një komision tjetër, por jo ky”, tha ai.
Ndërsa, deputeti Endrit Shala nga Nisma, tha se në intervistim duhet të jenë përgjegjësit institucionalë. /Tv Malisheva