Nënshkruhet Marrëveshja financiare me Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës për projektin “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”
Është nënshkruar marrëveshja e kredisë ndërmjet Ministrisë së Financave, përfaqësuar nga ministrja Hykmete Bajrami dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE), përfaqësuar nga Guvernatori i kësaj banke, Rolf Wenzel, në vlerë prej 35 milionë euro.
BZHKE është institucion i Këshillit të Evropës që ka mandat mbështetjen e sektorit social ku përfshihet edhe sektori shëndetësor.
Sipas komunikatës ministrore, pas goditjes së Evropës nga pandemia, BZHKE ka reaguar me hapjen e dy raundeve të jashtëzakonshme për mbështetjen e 41 vendeve anëtare në ngritje të kapaciteteve shëndetësore për ballafaqim me pandeminë COVID-19.
Ministria e Financave ka punuar ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë për të ofruar mbështetjen e nevojshme që të përmirësohet ndjeshëm trajtimi dhe kapacitetet e sistemit shëndetësor për të forcuar qëndrueshmërinë dhe kualitetin e shërbimeve shëndetësore. Në veçanti, kjo marrëveshje do të financojë pajisje mjekësore sipas nevojave të MSH-së dhe SHSKUK-së, si dhe do të financojë në mënyrë retroaktive linjat buxhetore për masat 6 dhe 7 të pakos emergjente sa i përket mbështetjes për sektorin shëndetësor.
Vlen të theksohet se kjo është kredia e parë sovrane me BZHKE-në, dhe kjo mbështetje do të mundësojë implementim të shpejtë të masave dhe do t’i vë në dispozicion sistemit shëndetësor resurse të cilat nuk i ka pasur që nga periudha e pasluftës.