Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kenë një ditë të ngjeshur, pasi Kryesia e Kuvendit ka vendosur për mbajtjen e dy seancave plenare, njëra prej të cilave është vazhdim, ndërsa në seancën e re kryeministri Avdullah Hoti do të raportojë lidhur me vazhdimin e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Në rendin e ditës së vazhdimit të seancës të Kuvendit në ora 10.00, deputetët do të shqyrtojnë projektligjet që kanë të bëjnë me ratifikimin e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare: Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Kosovës dhe BERZH-it për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan, Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Në rend dite për shqyrtim janë edhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet BE-së dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e vendit tonë në Programin e Bashkimit “Dogana 2020” dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes BE-Kosovë mbi pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së “Fiskalis 2020”.

Një pikë e nxehtë debati pritet të jetë ajo e interpelancës së kryeministrit Hoti në seancën e re plenare në ora 11:00, dhe raportimi para deputetëve lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, me ç’rast do të ketë debat të gjerë parlamentar.

Para këtij debati, në rend dite janë formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për tre anëtarë të Komisionit të Pavarur për Media, formimi i Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për 7 anëtarë të Bordit të RTK-së dhe propozimi i GP Nisma për zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare./ Tv Malisheva

Share.