Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka komentuar sot zhvillimet e fundit politike, i cili tha se Avdullah Hoti në pozitën e zëvendëskryeministrit, ka qenë destruktiv gjatë kohës së qeverisjes.
Kurti po ashtu tha se Hoti nuk është as ndër 10 personat më të votuar në zgjedhjet e 6 tetorit që u mbajtën në vitin 2019.
Ndërsa, për nominimin e tij nga LDK-ja për pozitën e kryeministrit, Kurti tha se presidenti Thaçi kërkon një kryeministër të dobët.
Kurti: Hoti ishte destruktiv dhe i dobët
“Unë nuk mund të komentoj dëshirat e të gjithë njerëzve për të marrë pozita e poste në shtetin tonë, por për ish-zëvendësin tim që u shkarkua më 25 mars mund të them se gjatë qeverisjes tonë ka qenë destruktiv dhe thua se kishte një kovë me rërë që rrotave të qeverisë më të mirë pas luftës t’ua hedhë edhe të na ngadalësoj ecjen tonë. Ta keni parasysh as ndër dhjetë njerëzit më të votuar më 6 tetor nuk është ky person. Pra, nuk bëhet fjalë për demokraci këtu dhe legjitimitet. Bëhet fjalë për dëshirën e presidentit që të ketë një kryeministër tjetër të dobët. Meqenëse presidenti i Kosovës dëshiron të jetë më shumë se president, atij i nevojitet një kryeministër që është më pak se kryeministër. Dhe ai do kryeministër të dobët, i cili ia mbanë ison në intencën për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Me mua nuk e bënë dot këtë. Prandaj, u zmbraps. Shkoj në Uashington u kthye pa marrëveshje, erdhi këtu në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, iku pa vendim. Pra, presidenti është i zmbrapsur nga kjo qeveri… Nëse dëshiron më shumë kompetenca le të garon për kryeministër, por jo ta keqpërdorë ulësen e presidentit për shkak të etjes së tij për më shumë pushtet”, tha Kurti.
Sipas tij, Hoti në vitin 2017 kishte katër herë më shumë vota se sa në vitin 2019, kryetarja e kuvendit Vjosa Osmani kishte gati shtatë fishin e votave të ish-zëvendëskryeministrit në zgjedhjet e vitit 2019.
Ndërkaq, vendimin e Thaçit për t’ia dhënë mandatarin LDK-së, e ka quajtur arbitrarë dhe antikushtetues.
Kurti: Vendimi i Thaçit arbitrar
“Unë nuk e kam tekstin me nënshkrim të ofertës së presidentit për partinë e dytë. E kam parë nëpër medie si përfolja një letër të tillë, por jo letrën. Duhet ta shohim letrën me nënshkrim dhe mbi çfarë baze kushtetuese e ligjore është bërë një ofertë e tillë për partinë e dytë. Deri atëherë ne jemi në pritje. Por, s’e bëhet fjalë për shkelje nuk ka dyshim. Letra e parë pas mocionit të mosbesimit që ma dërgoj presidenti ishte më 2 prill. Në pasditet e 22 prillit, ai konstatoi se ne po refuzojmë. Pra, 20 ditë, ku e mori këtë numrin 20. Ku shkruan në Kushtetutë që duhet të pritet subjekti I parë 20 ditë. As 19 as 21, as 15 e as 25, ku e mori këtë numrin 20. Totalisht arbitrar. Presidenti i Kosovës duhet ta respektoj Kushtetutën, ai nuk mund të shkruaj Kushtetutën. Nëse ka zbrazëtira në Kushtetutë nuk i shkruan presidenti. Prandaj, kjo ishte shkelje njëra ndër të shumtat, aq të shumta sa që të panumërta”, thekson Kurti.
Ai më tej tha se nuk do të komentoi ende për një Qeveri të re, e cila sipas tij nuk dihet ende nëse do të bëhet.
Kurti: Ka shumë punë që të mbërrijmë deri tek ndonjë qeverie re
“Ka shumë punë që të mbërrijmë deri tek ndonjë qeverie re dhe nuk ka nevojë tash të diskutojmë se çka do të bëjmë ne në rast se ndodhë ajo që nuk dihet a do të ndodhë”, deklaron Kurti./Tv Malisheva