Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka akuzuar sot presidentin Hashim Thaçi se po del jashtë detyrës së tij zyrtare në tendencën për të formuar qeverinë, pa partinë fituese.
Kurti në një konferencë për medie, i pyetur për qëndrimin e emisarit amerikan Richard Grenell për dialogun Kosovë-Serbi, se gjatë javës pritet të largohet reciprociteti, tha se nuk mund të mbajë qëndrim më të avancuar për Kosovën një ambasador i huaj, se sa institucionet kryesore të shtetit.
Kurti: Shteti ynë ka një president jashtë detyrës
“Unë jam kryeministër në detyrë, por shteti ynë ka një president jashtë detyrës. Me këtë intencën për të formuar dhe drejtuar vullnet politik në Kosovë. Presidenti i një republike parlamentare, demokratike sikurse është shteti ynë është një figure ceremoniale”, tha ai.
Sipas tij, kur presidenti del kundër reciprocitetit, nuk mund të çuditemi kur këtë e kërkojnë edhe ambasadorë të huaj.
Kurti: S’mund të mbajë qëndrim më të avancuar për Kosovën një ambasador i huaj sesa ne
“Nuk mund të mbajë qëndrim më të avancuar për Kosovën një ambasador i huaj se atë që e bëjnë vetë organet e shtetit, apo figurat udhëheqëse të tij. Nëse kemi një president që del kundër reciprociteti me Serbinë, atëherë nuk duhet të çuditemi me asnjë ambasador të huaj se çka thotë për vendin tonë”, tha ai.
Kryeministri në detyrë duke folur për pranimin e 1000 testeve nga Serbia, tha se nëse nuk do të pranonin një gjë të tillë, do të akuzoheshin për sjellje irracionale.
Kurti: Nëse do të refuzonim testet – do të akuzoheshim për sjellje irracionale
“Unë jam i bindur se sikur Kosova të refuzonte marrjen e këtyre testeve do të akuzohej për sjellje irracionale. Për politizim të një gjesti që nuk është i til lë. Pra nuk duhet të pranohet si politik”, tha ai.
Për thirrjet e rezistencës që kanë bërë disa prej këshilltarëve të tij dje, kryeministri Kurti tha se aktivistët e LVV-së janë njerëz që i rezistojnë së keqes.
Por që thotë se dy ditët e fundit nuk ka pranuar këshilla të tilla.
Kurti: Në dy ditët e fundit nuk kam marrë këshilla për rezistencë
“Nuk e kam parasysh për besë për çfarë rezistencë është fjala. Por aktivistët e LVV-së janë njerëz që për nga vokacioni i rezistojnë të keqes. Por nuk po më bie në mend që këto dy ditë e fundit kam marrë ndonjë këshillë nga këshilltarë për të rezistuar diçka”, tha ai.
Këto komente, kryeministri në detyrë, Albin Kurti i bëri sot pas lansimit të një nisme digjitale mësimore./Tv Malisheva