Lidhja Demokratike e Kosovës ka lëshuar sot mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit ku po diskutohej për nismën legjislative të kryeparlamentares Vjosa Osmani për luftimin e pandemisë Covid-19, dhe dy nisma të tjera të deputetëve rreth çështjes së koronavirusit.
Këtë, shefi i deputetëve të LDK-së Arben Gashi, thotë ta kenë bërë për shkak të pamundësisë së një marrëveshje rreth kësaj çështjeje, meqë sipas tij nisma të tilla nuk mund të procedohen në Kuvendin e Kosovës derisa qeveria është në detyrë.
Pasi nënkryetari i Kuvendit nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala dhe shefi i deputetëve Arben Gashi lëshuan mbledhjen, ky i fundit tha para mediave se për t’u proceduar këto nisma në seancë duhet të kenë mendimin e qeverisë, e që sipas tij qeveria nuk mund ta bëjë këtë pasi Kuvendi i ka marrë besimin me dy të tretat e votave.
Gashi: Kemi lëshuar mbledhjen e kryesisë, takohemi të martën me shefat e grupeve parlamentare
“Për shkak të pamundësisë që të kemi një marrëveshje dhe të pa dëshirës që të mirëkuptohet mënyra se si ne kemi dhënë sqarimet për këtë çështje, e kemi përsëritur disa herë procedurën dhe rregullat sesi arrihet deri te një zgjidhje, nuk kanë dashur të kuptojnë. Ne e kemi lëshuar mbledhjen e kryesisë, jemi larguar dhe si duket në mungesë tonën nënkryetarët e tjerë dhe anëtarët e kryesisë nuk kanë dashur të marrin vendim dhe ka mbetur ndoshta që të martën të takohemi edhe njëherë me shefat e grupeve parlamentare dhe të shohim a ka ndonjë zgjidhje”, tha Gashi.
Gashi ka thënë se qëndrimi i LDK-së rreth këtyre nismave nuk ka të bëjë me Vjosa Osmanin si iniciues, por që rregullat e Kuvendit nuk e lejojnë një gjë të tillë.
Gashi: Nisma e Osmanit nuk mund të procedohet tutje
“Zonja Osmani e ka një nismë legjislative, nismë legjislative e cila nuk mund të procedohet më tutje për shkak të procedurave, demokracia është rregull, dhe ky është rendi juridik që kemi vendos”, tha Gashi.
Ai tha se vendi ndodhet në krizë politike për të cilën e fajësoi kryeministrin në detyrë Albin Kurti si bllokues i situatës.
Gashi: Albin Kurti të marrë përgjegjësinë për formimin e institucioneve
“Për të marrë vendime në Kuvend, duhet të ketë shumicë politike, e cila prodhon një qeveri. Ne kërkojmë të krijohet shumica e re politike, e të drejtën momentalisht për të krijuar një shumicë politike e ka kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje i cili nuk po shfrytëzon dhe e ka futur vendin në krizë politike. Ai duhet ta shfrytëzojë të drejtën dhe obligimin, sepse tashmë kur presidenti i ka shkruar letër e drejta e tij shndërrohet në obligim për të marrë veprime, ta realizojë të drejtën dhe obligimin e tij që të provojë të formojë shumicë, nëse dështon ose nuk do të provojë të bëjë shumicën, atëherë t’i kalojë kjo e drejtë dikujt tjetër”, tha ai.
Gashi tha se vendi ndodhet në ngërç politik dhe kërkon zgjidhje politike./Tv Malisheva