Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka anuluar vendimin e datës 4 gusht 2020, me të cilin kishte shfuqizuar udhëzimin administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale.

Ai gjatë një takimi me përfaqësues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, Shoqatës Farmaceutike të Kosovës, Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë të Kosovës dhe zyrtarë të tjera nga komuniteti farmaceutik, ka thënë se anulimi i udhëzimit është bërë për shkak të pamundësisë së zbatimit të disa dispozitave të tij, të konstatuara nga Komisioni për shqyrtimin e ankesave dhe Departamenti Ligjor i MSH-së.

Për më tepër, ministri Zemaj ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar sekretarin e Përgjithshëm të MSH-së që të ndërmarrë veprime për plotësim – ndryshimin e udhëzimit administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale.

MSH ka bërë të qartë edhe në takimin e mbajtur me komunitetin farmaceutik, se vendimet e marra janë për shkak të pamundësisë së zbatimit të udhëzimit që do të plotësohet dhe kjo nuk ka të bëjë me interesa të tjera ‘siç po provohet të interpretohet e keqpërdoret nga dikush’.

Ish-ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili ka deklaruar se ministri aktual i këtij sektori Armend Zemaj, me shfuqizimin e udhëzimit administrativ që rregullon çmimin e barnave në nivel vendi, ka shndërruar veten në një partner të krimit farmaceutik.

Ai në një postim në Facebook dje ka kërkuar urgjentisht nga Qeveria Hoti që të shfuqizojë udhëzimin administrativ të ministrit Zemaj për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave, pasi si i tillë është i baras-vlefshëm me një akt kriminal.

“Për 20 vjet me radhë Republika e Kosovës ka blerë mbi 6 milionë euro më shtrenjtë barna spitalore brenda vitit, ndërsa qytetarët tanë janë rrjepur financiarisht duke shpenzuar nëpër barnatore rreth 10 milionë euro më shumë për barna në vit. Në emër të pandemisë, larg syve të publikut, së pari lidhën kontrata me çmime abuzive, kurse tash po legalizohet korrupsioni me prishjen e një prej reformave më substanciale në historinë e shëndetësisë”, ka thënë Ismaili./Tv Malisheva

Share.