Ministria e Shëndetësisë përmes një deklarate për media njofton se iu ka bërë thirrje që nga fillimi i pandemisë me koronavirus të gjitha organeve mbikëqyrëse të Prokurimit Publik, Autoritetit Kosovar të Konkurrencës dhe Policisë së Kosovës-Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike që të hetojnë çdo shkelje të mundshme në procedurat e prokurimit publik ku autoritet kontraktues është kjo ministri.
Në një komunikatë për media thuhet se kjo bëhet për shkak të situatës emergjente të shëndetit publik dhe për të reaguar sa më shpejt ndaj çdo shkeljeje potenciale.
“MSH ka ftuar në secilën procedurë të zhvilluar të prokurimit publik sa më shumë kompani pjesëmarrëse me qëllim të respektimit të konkurrencës dhe nxjerrjes së çmimeve sa më të favorshme me qëllim të ruajtjes së buxhetit të taksapaguesve kosovarë. Para çdo procedure të zhvilluar, Komisioni për vlerësimin e çmimeve ka dalë në terren për verifikimin e tyre vetëm që mos të krijohen mundësi potenciale të fryrjes artificiale të çmimeve”, thuhet në komunikatë.
MSH rikujton se hamendësimet, dyshimet e pabazuara dhe aludimet me qëllime të ulëta përmes emisioneve e deklaratave të ndryshme të individëve nuk përbëjnë fakte, e as nuk janë argumente për të provuar të goditet një institucion, i cili gjatë kësaj kohe, ka mobilizuar të gjitha resurset e veta në menaxhimin korrekt të situatës epidemiologjike dhe ruajtjes së shëndetit të qytetarëve.
“MSH do të insistojë që çdo pretendim i hedhur nga secila palë të ndriçohet dhe do të jetë në gjendje të ndërmarrë masa ndaj çfarëdo shkeljeje eventuale nga ana e cilit do zyrtar të saj, por i rikujton të gjithë ata që plasojnë dezinformata dhe shpifje, sidomos në këtë kohë pandemie, që edhe këto janë akte të dënuara me ligjet në fuqi”, përfundon komunikata/TV Malisheva