Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës Arbërie Nagavci janë përplasur sot verbalisht në seancën plenare.
Gaxherri në fjalën e saj u ankua për kushtet e deputetëve, pasi sipas saj, nuk ka përkthim në seancë. Më pas deputetes iu ndal fjala dhe vazhdoi të flasë pa mikrofon. E, nënkryetarja Arbërie Nagavci ka kërkuar që ‘të mos bërtasë’.
Nagavci: Ju lus të mos bërtisni
“Zonja Gaxheri, ju kisha lutur që të mos bërtisni, uluni ju lutem në vend dhe mos bërtitni. E para e punës, diskutimi juaj ishte jashtë pikës dhe nuk keni të drejtë të flisni”, tha ajo.
Më pas iu dha fjala Gaxherit, e cila përsëriti se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës për shkak të teknikës së përkthimit.
Gaxherri: Kur ti ma ndalon fjalën, unë duhet të bërtas
“Zonjë e nderuar, unë nuk bërtas, por kur ti ma ndalon fjalën mua, unë duhet me bërtit më të madhe për të dëgjuar ti. Sepse pa mikrofon nuk dëgjon ti atje. Dhe ti edhe kur dëgjon vepron qysh të do ti, dhe nuk ke të drejtë. Thashë se deputetët nuk kanë kushte për seancë, sepse nuk ka teknikë të përkthimit”, ka thënë ajo.