Në Lidhjen Demokratike të Kosovës besojnë se do t’i ruajnë votat e zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar. Pritjet në partinë e Isa Mustafës janë pozitive për një rezultat fitues në zgjedhjet e jashtëzakonshme që pritet të mbahen në fillim të vitit 2021. Këtë e bazojnë në “qeverisjen e mirë të kryeministrit Avdullah Hoti”, por të cilin nuk garantojnë se do ta kenë mandatar sërish për të parin e ekzekutivit.
Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Arban Abrashi i quan të rrejshme dhe fabrikime gjitha sondazhet dhe deklaratat se partia që përfaqëson do të jetë nën 20 për qind në zgjedhje.
Abrashi: Pritjet janë pozitive, synojmë me i fitua zgjedhjet
“Pritjet tona janë shumë pozitive, besoj që do t’i ruajmë, ndoshta t’i rrisim votat që i kemi pas. Ato çka i dëgjojmë janë fabrikime, lajme të rrejshme, ato që i kemi pa se disa vite fatkeqësisht ku parti politike ose individ, ose disa të veshur edhe në petkun e analistit shpërndajnë lajme të rrejshme…synojmë më i fitua me ekipin dhe njerëzit ma të mirë të vendit”, thotë ai.
Abrashi, i cili është edhe ministër i Infrastrukturës thotë se ende nuk kanë diskutuar se kush do të udhëheqë listën zgjedhore të partisë. Derisa edhe thur lavde për qeverisjen e kryeministrit Hoti.
Arbashi: Nuk e kemi diskutua, kryeministri Hoti po bënë një punë të mirë
“Nuk e kemi diskutu, kryeministri Hoti po bënë një punë të mirë e ka marrë qeverisjen në një kohë të vështirë. Shpesh herë u akuzu formën si e ka marrë qeverisjen, por ka qenë një vendim i Gjykatës Kushtetuese ashtu si na tregojë tani kushtetuesja, por punën e ka bërë shumë të mirë”, thotë Abrashi.
E për vendosjen e kandidatit për kryeministër, Abrashi thotë se do të vendosin pas mbledhjes së kryesisë që pritet të mbahet në ditët në vijim.
Abrashi: Do të ftojmë një mbledhje të kryesisë ditëve në vijim
“Ne do të ftojmë një mbledhje të kryesisë ditëve në vijim, aty do të dëgjojmë edhe anëtarë të kryesisë dhe orientimet e kryetarit dhe këto me kryetar të degëve. Pas asaj i shpalosim të gjitha”, u shpreh ai.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme pritet të mbahen në fund të janarit, ose fillim të shkurtit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pavlefshmërinë e qeverisë Hoti.