Ekonomia e Kosovës ka pasur rritje prej 4.94 për qind në vitin 2019, ndërsa borxhi publik ka qenë në nivel të ulët me vetëm 17,5 për qind.
Këto të dhëna u bënë publike në prezantimin e raportit vjetor nga Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti në Komisionin për Buxhet dhe Transfere.
Kjo rritje ekonomike, Mehmeti tha se ka ardhur më shumë nga tregtia dhe sektori i sigurimeve. Ndërkohë theksoi se lëvizja e çmimeve vazhdon të përcaktohet nga lëvizja e jashtme si pasojë e varësisë së importeve.
Ai tha se institucioni që udhëheq ka vazhduar me avansimin e kapaciteteve profesionale me standardet ndërkombëtare.
Por kritika për këtë raport adresoi anëtarja e komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Yllza Hoti e cila tha se ky raport nuk ka shumë përmbajtje. /TV Malisheva