Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se situata e jashtëzakonshme nëpër të cilën po kalon ekonomia e vendit kërkon edhe qasje dhe veprime të jashtëzakonshme, prandaj janë për keqardhje dhe të papranueshme veprimet e ngadalshme të institucioneve të Kosovës në ofrimin e përkrahjes për sektorin privat pas shpërthimit të pandemisë COVID19, në një kohë kur ndërmarrjet e këtij sektori ndodhen para një kolapsi.
Në komunikatën për media thuhet se Oda Amerikane beson se përkrahja për sektorin privat dhe rimëkëmbjen ekonomike duhet të zënë vend në diskursin e përditshëm politik në vend të temave boshe të cilat përveç se nuk ofrojnë ndonjë zgjidhje për problemet me të cilat ballafaqohet Kosova, thellojnë përçarjen politike tash kur dialogu konstruktiv dhe veprimet e shpejta janë të domosdoshme dhe nuk kanë alternativë.
Oda Amerikane thërret edhe një herë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të aprovojnë pa vonesë buxhetin e rishikuar për vitin 2020 i cili do të mundësonte vazhdimin e zbatimit të masave në përkrahje të sektorit privat, si dhe të aprovojnë me procedurë të shpejtë edhe Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili do të çelte rrugën për zbatimin e masave të rimëkëmbjes, e me këtë edhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare, si burime të rëndësishme për zbatimin e masave të sipërcekura.
Çfarëdo zvarritje e paarsyeshme që do të vononte përkrahjen për ndërmarrjet e sektorit privat do t’i jepte goditje të papërballueshme këtij të fundit, ndërsa do t’i bënte bashkëfajtore partitë politike, në procesin e kolapsit të sektorit privat, mbylljes së vendeve të punës, dhe përkeqësimit të gjendjes sociale.
Në fund, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit se përveç veprimeve që lidhen me rimëkëmbjen ekonomike, Qeveria dhe Kuvendi duhet të demonstrojnë një qasje më dinamike edhe në aspektin e agjendës legjislative, duke përshpejtuar hartimin dhe aprovimin e ligjeve të cilat do të përmirësonin mjedisin e të bërit biznes si dhe ofertën e vendit para investitorëve të huaj./Tv Malisheva