Oda Ekonomike Amerikane përshëndet vendimin e sotëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shfuqizimin e barrierave në lirinë e lëvizjes së mallrave, duke e vlerësuar këtë si hap të rëndësishëm në integrimin ekonomik rajonal, por edhe në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore ndërmjet shteteve të Ballkanit, si parakusht edhe për avancimin e rrugëtimit euro-atlantik të shteteve të Ballkanit.

OEA nëpërmjet një komunikate, thotë se vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës është edhe përgjigje në thirrjet e Presidentit Trump, Sekretarit të Shtetit Pompeo, zyrtarëve të tjerë të lartë të administratës amerikane dhe Ambasadës së SHBA-së në Kosovë, si dhe dëshmi e përkushtimit të Kosovës për raporte të fuqishme strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Oda Amerikane në Kosovë rithekson se njohja reciproke, tregtia pa barriera dhe fuqizimi i lidhjeve ekonomike do ta përmirësonte perceptimin për Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit në sytë e investitorëve amerikanë dhe të tjerë të huaj.Krejt në fund, Oda Ekonomike Amerikane përsërit qëndrimin e saj për implementimin e marrëveshjeve për komunikacionin ajror, hekurudhor dhe rrugor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat do të mundësonin fuqizimin e sektorit privat dhe hapjen e potencialit të të dyja vendeve për rritje të përshpejtuar ekonomike, por edhe rikuperim të shpejtë ekonomik pas pandemisë COVID19”, thuhet në komunikatë./Tv Malisheva

Share.