Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka reaguar pas shtimit të rasteve me përfundim fatal si pasojë e koronavirusit, ku vetëm në dy ditët e fundit në vendin tonë janë konfirmuar gjithsej 31 vdekje.

Ajo në një postim në Facebook ka thënë se dhimbja e 227 familjeve që deri më sot kanë humbur më të dashurit e tyre nga kjo sëmundje e rrezikshme, duhet të shërbejë si një alarm për institucionet, të cilat kanë për detyrë të mbrojnë jetën e qytetarëve.

Postimi i plotë:

31 familje po i varrosin më të dashurit e tyre, që humbën jetën dje (16) e sot (15) nga virusi Covid-19.

Ditët e festave janë ditë kur zotërojnë gëzimi e hareja, por sot, disa familje po i japin lamtumirën e fundit atyre që i deshën më së shumti. Lutem që Zoti t’ua lehtësojë dhimbjen në këto kohë të rënda e për humbjen e madhe jo vetëm për familjet por për gjithë shoqërinë tonë.

Prandaj nëse u shkon mendja që për këtë Bajram t’i injoroni këshillat e mjekëve për festë nga distanca, ju lus mendoni për 227 familjet që sot kanë dhimbje për fëmijët, vëllezërit, motrat apo prindërit e tyre, të cilët i humbën për shkak të pandemisë.

Dhimbja e tyre le të shërbejë si alarm për të gjithë për rrezikun e këtij virusi e në veçanti për institucionet që e kanë për obligim të mbrojnë jetën e qytetarëve.

Ngushëllime edhe njëherë të gjitha familjeve që humbën më të dashurit.

Share.