Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se sot u shënua shifra e dhimbshme prej 300 jetësh të humbura prej Covid-19, duke theksuar se kemi nevojë të mobilizohemi me një zë që ta zvogëlojmë dhimbjen, t’i zvogëlojmë vuajtjet dhe ta rrisim shpresën.

Ajo ka shkruar në Facebook se përkundër trendit alarmant, qeveria refuzoi trajtimin e ligjit anti-covid duke e konsideruar të panevojshëm, refuzoi buxhet për maska mbrojtëse dhe vaksina.

“Ankohet se nuk ka mjaftueshëm shtretër përderisa prioritizon investime jo të domosdoshme infrastrukturore apo pagesa për fatura për avokatët e Gjykatës Speciale”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë i Osmanit:

Sot u shënua shifra e dhimbshme prej 300 jetësh të humbura; 300 ëndrra njerëzish u fikën në betejën kundër COVID-19. Prapa secilit nga këta numra qëndron një histori e trishtë, zbrazëtia e pafund që e lanë në shpirtrat e të dashurve, që nuk mund të plotësohet asnjëherë!

Por, dhimbja jonë mund të rritet ditë pas dite, e shifrat si këto të trokasin në ndërgjegjen tonë. Prandaj sot, kur nuk dimë si do të duket epilogu i këtij kapitulli të hidhur, duhet të mësojmë nga historia e secilit, të mbajmë distancë për hir të tyre, të vendosim maska mbrojtëse dhe ta ruajmë higjienën personale!

Ta pranojme sintagmën “një herë në shekull”, dhe ta mposhtim pandeminë me kurajo e kujdes ndaj njëri-tjetrit. Të përmbahemi atëherë kur dielli na provokon e natyra na thërret.

Të mbajmë distancën fizike edhe atëherë kur të na mungojnë përqafimet e më të dashurve tonë. Ne duhet të jemi mburojë e sistemit shëndetësor duke ushtruar kujdes personal, për hirë të sakrificës së profesionistëve, të cilët me vetëmohim të pashoq po përballen me rrezikun e çdoditshëm!

COVID-19 ka shtruar nevojën urgjente të qeverive për ta rritur gatishmërinë në menaxhimin e situatës. Përkundër trendit alarmant, qeveria refuzoi trajtimin e ligjit anti-covid duke e konsideruar të panevojshëm, refuzoi buxhet për maska mbrojtëse dhe vaksina, ankohet se nuk ka mjaftueshëm shtretër përderisa prioritizon investime jo të domosdoshme infrastrukturore apo pagesa për fatura për avokatët e Gjykatës Speciale.

Të mos harrojmë, viktimat janë rezultat edhe i neglizhencës 20 vjeçare ndaj sistemit shëndetësor të brishtë, i cili megjithëse është konsideruar prioritar në letër, në praktikë nuk po trajtohet si i tillë.

COVID-19 është kudo përreth nesh. Sot kemi nevojë të mobilizohemi me një zë që ta zvogëlojmë dhimbjen, t’i zvogëlojmë vuajtjet dhe ta rrisim shpresën!

Share.