Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Ambientit Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se do të respektojë vendimin e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së për koalicionin me AAK-në dhe Nismën Socialdemokrate, ani pse nuk pajtohet.

Abdixhiku tha se ka pasur pikëpamje tjera sa i përket gjithë situatës politike të tanishme dhe të njëjtat i ka prezantuar në organet e partisë, por që thotë se vendos shumica.

Abdixhiku: Vendimin e Këshillit të Përgjithshëm unë si zyrtar i LDK-së e respektoj në plotni

“Unë kam pasur pikëpamje tjera sa i përket gjithë situatës politike të tanishme dhe këto pikëpamje janë prezantuar në organet e partisë, gjithsesi diskutimi dhe mendimet individuale në qoftë se nuk janë shumicë nuk bëhen vendime të shumicës partiake. Në situatën e tanishme e kemi një vendim shumicë të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së të cilin unë si zyrtar i LDK-së e respektoj në plotni. Por, mendimi im personal mbetet i tillë, po e them edhe një herë është shprehur në organet e partisë, por mendimet individuale nuk duhet konsideruar si përfundimtare pa marrë pëlqimin e shumicës. Unë e respektoj vendimin e shumicës së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, ndonëse e ruaj të drejtën e mendimit tim personal”, tha ai.

Ndërsa, i pyetur se a është i gatshëm të shërbejë si ministër në një qeveri të re, ai tha se fillimisht duhet të ndërtohet një qeveri për të qenë pjesë e saj. Ai tha se nuk mund të jetë pjesë e diçkaje që nuk ekziston.

Abdixhiku: Fillimisht duhet të ndërtohet një qeveri për të qenë pjesë e saj

“Fillimisht duhet të ndërtohet një qeveri për të qenë pjesë e saj, pra nuk mund të jesh pjesë e diçkaje që nuk ekziston. Fillimisht duhet të ekzistojë e më pas do të jenë vendime të institucioneve partiake përbërëse të kësaj qeverie, sepse nuk e dimë se di do të duket ajo qeveri”, tha ai.

Abdixhiku tha se nga lidershipi i LDK-së u është kërkuar të gjithë ministrave që të ruajnë komunikimin me palën tjetër (LVV) për të mos dëmtuar institucionet.

Ai tha se të gjithë ministrat e LDK-së e kanë bërë këtë, derisa tha se e njëjta nuk është bërë nga pala tjetër./Tv Malisheva

Share.