Kosova radhitet në vendin e dytë në rajon me numrin më të madh të rasteve aktive me korona virus. E që është vendi i parafundit të testimeve të popullsisë për këtë virus.
Në Kosovë deri më tani janë bërë testime restriktive, ku njerëzit janë testuar vetëm kur kanë shfaqur simptoma serioze.
Kështu u tha sot gjatë prezantimit të raportit “Bashkëjetesa me COVID-19: Tri shtylla të rimëkëmbjes”, ku Pëllumb Çollaku nga Instituti Riinvest, tha se lehtësimi i masave që filloi nga 18 maj, u bë ngutshëm para se të realizohen kapacitetet minimale të nevojshme.
Çollaku: Kosova pati kosto pas hapjes së shpejtë
“Kosova pati ca kosto pas hapjes së shpejtë të cilat dalin që në raportin e popullsisë me rajonin u përkeqësua më pas. Në këtë rast Kosova për momentin bazuar në raport me numrin e popullsisë ka vendin e dytë në rajon për nga numri i rasteve aktive me korona virus. Më pas me një indikator tjetër mjaft të rëndësishëm ku praktikat e shumë shteteve tjera kanë rezultuar të suksesshme, Kosova e parafundit, e fundit duke qenë vetëm Shqipëria me një numër të vogël testimeve të popullsisë gogja të vogël. Nëse marrim në krahasim Serbinë gjendet dukshëm në vendin e parë e cila ka testuar 6,65 për qind të popullatës deri më datën 8 korrik”, tha ai.
Sipas tij, deri më tani qytetarët janë testuar në mënyrë restriktive, ku si shkak i mungesës së kapaciteteve, ata janë testuar vetëm kur kanë shfaqur simptoma serioze.
Çollaku: Indikatori ku Kosova performon më së keqi është numri i infektimeve me testimet e bëra
“Po ashtu një indikator që mund ta vendoste Kosovën në një pikë më të favorshme janë vdekjet në raport me numrin e popullsisë. Nëse marrim në krahasim pikërisht prapë me Serbinë e cila ka 19,1 përqind të popullatës mbi moshën 65 vjeçare, del që norma e vdekjeve në Serbi është shumë e ulët se sa në Kosovë, e cila ka vetëm 6,5 përqind të popullsisë mbi moshën 65 vjeçare. Ndërsa, indikatori në të cilën performojmë më së keqi është numri i infektimeve në testimet e bëra e cila tregon që mënyra e testimit ka qenë restriktive, njerëzit janë testuar vetëm kur kanë shfaqur simptoma serioze edhe me gjasë shkaku i mungesës së kapaciteteve konform me numrin e infektimeve gjatë kësaj periudhe kohore”, ka thënë ai.
E Visar Vokrri nga Riinvest theksoi se në bazë të rezultateve të anketës që kanë realizuar shoqata e bizneseve në prill rreth 95 përqind e bizneseve kanë raportuar se kriza e shkaktuar nga pandemia ka pasur efekt negativ.
Vokrri: Pandemia ka goditur rëndë sektorin privat
” Pandemia ka goditur rëndë sektorin privat duke reduktuar shitjen në pjesën dërrmuese të tyre. Me përjashtim të tregtisë. Sipas të dhënave të mbledhura nga këto biznese rëniet variojnë nga 10 deri në 90 përqind në periudhën mars-maj. Këtu nuk janë të përfshira bizneset e industrisë së hotelerisë dhe gastronomisë. Ku goditja ka qenë më e rëndë në këtë periudhë për shkak se është manifestuar me ndërprerje të plotë të aktiviteteve disa muaj. Kjo gjendje ka filluar të zbutet relativisht pas datës 18 maj, dhe në fillim të qershorit gjendja është stabilizuar pothuajse në gjithë sektorët duke u zvogëluar rënia e shitjeve në 20 deri në 50 përqind në krahasim me gjendjen para pandemisë”, u shpreh ai.
Instituti Riinvest ka rekomanduar që të rritet përgjegjësia e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës dhe konsolidimi urgjent i funksionimit të legjislativit ashtu që të mund të marrë vendime me shumicën e kualifikuar kur është fjala për marrëveshjet ndërkombëtare.
E po ashtu edhe përmirësim i politikave fiskale, lidhur me evitimin e ngarkesave tarifore dhe TVSH-së për disa inpute prodhimi në kufi, evitimin e problemeve të rimbursimit të TVSH-së.
Nga fondet e privatizimit Riinvest ka rekomanduar që të ndërtohet një klinikë modern, me pajisje që të mundësonin të gjitha analizat dhe shqyrtimet diagnostike, ku sipas tij do të reduktohej shpenzimi i fondeve publike e private jashtë vendit, dhe do të sigurohej një barazi qytetare në qasje në shërbime cilësore për të gjithë qytetarët e vendit./Tv Malisheva