Ekspertët e shëndetit të fëmijëve thonë se një numër i vogël i të rinjve kishin simptoma të koronavirusit afatgjatë.

Rreziku afatgjatë i sëmundjes te fëmijët është shumë më i ulët nga sa kishin frikë, thanë ekspertët kryesorë britanikë në shëndetin e fëmijëve.

Pas studimit më të madh në botë mbi këtë çështje, studiuesit, të udhëhequr nga Kolegji universitar në Londër, thanë se ishin “të qetë”.

Ata vëzhguan fëmijët midis moshës 11 dhe 17-vjeç, të cilët ishin pozitivë për virusin korona në Angli midis shtatorit të vitit të kaluar dhe marsit të këtij viti.

Hulumtimi sugjeron që midis dy për qind dhe 14 për qind të tyre 15 javë më vonë ende kishin simptoma të shkaktuara nga COVID-19.

Ekipi kërkimor tha se ishte e rëndësishme që ata që kishin simptoma të vazhdueshme, të tilla si dhimbje koke, lodhje dhe vështirësi në frymëmarrje, të merrnin mbështetje.

Por pak njerëz kërkuan ndihmë nga Shërbimi Shëndetësor Britanik për shkak të simptomave që i lanë të lidhur në shtrat ose të paaftë për të ndjekur shkollën.

Studimi, i cili ende nuk është publikuar në një revistë mjekësore, gjithashtu mblodhi të dhëna për të rinjtë që nuk kanë qenë kurrë pozitivë, që do të thotë se një total prej më shumë se 50.000 u anketuan.

53 për qind e tyre kishin të paktën një simptomë pas 15 javësh, thjesht sepse janë të zakonshme në popullatën e përgjithshme.

Midis atyre që u testuan pozitivë, kjo përqindje ishte 65 për qind. Një ndryshim i rëndësishëm u vu re në 30 për qind të atyre që kishin tre ose më shumë simptoma, krahasuar me 16 për qind të atyre që kurrë nuk ishin pozitivë, duke treguar se 32.000 nga gati 235.000 të infektuar midis shtatorit dhe marsit zhvilluan COVID afatgjatë.

Por një profesor, Terence Stevenson i Institutit Britanik për Shëndetin e Fëmijëve, tha se ai ishte i siguruar nga të dhënat, pasi kishte sugjerime në kulmin e pandemisë që gjysma e fëmijëve mund të zhvillonin simptomat afatgjate të COVID-it.

“Nuk është as afër asaj që njerëzit menduan në rastin më të keq. Edhe pse shifrat janë ende “jo të parëndësishme” dhe çështja duhet të merret seriozisht”, tha ai.

Nga të gjithë fëmijët në sondazh, 40 për qind thanë se ndiheshin të trishtuar, të shqetësuar ose të pakënaqur.

Studiuesit thanë se ishte e qartë se pandemia kishte një efekt të dëmshëm te të rinjtë për shkak të mbylljes së shkollave, mos takimeve me miq dhe shqetësimeve për rrezikun e virusit./TV Malisheva

Share.