Në debatin parlamentar për situatën financiare të Telekomit të Kosovës, pas lejimit të përmbarimit të Vendimit Përfundimtar të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, tha se kontrata e “Z-mobile” ka qenë e kurdisur të rezultojë me dështimin e Telekomit në favor të Dardafonit.
Madje sipas Selimit kjo kontratë ka qenë e dizajnuar për të pasur këtë përfundim që ka sot, gjunjëzimin e Telekomit para Dardafonit deri në falimentim apo edhe gllabërim.
Selimi: Duhet të japin përgjegjësi ata që e kurdisen falimentimin e Telekomit
“Çdo veprim që është bërë dhe po bëhet mbi Telekomin është e orkestruar dhe i toleruar në bashkëpunim me drejtuesit politik që gjenden në qeverinë e Kosovës dhe partnerët e tyre politik… Është dikush që e ka ideuar, dikush që e ka kurdisur, dikush që e ka nënshkruar këtë kontratë. Dikush që e ka realizuar, dikush që e ka mbrojtur e deri te dikush që është kujdesur për implementimin këtij plan nga pika e parë deri te pika fundit. E krejt këta dikush duhet të japin përgjegjësi për nënshkrimin e tyre, por edhe përgjigje në një proces të veçantë hetimor që do të duhej dhe do të ndodhë një ditë nga prokuroria. Por deri më tani heshtja e prokurorisë dhe e qeverisë është e pa tolerueshme. Dëmet e kësaj kontrata nuk janë vetëm milionat që po i grabiten Telekomit, dëmet janë të shumëfishta, po ashtu edhe rreziqet”, tha Selimi.
Rexhepi ka thënë se kjo kontratë nuk e falimenton vetëm Telekomin, por prekë dhe mijëra familje të të punësuarve.
Llogaritë e Telekomit janë bllokuar, dhe sot kjo kompani është në kolaps financiar dhe kontot tani janë zbrazur deri në centin e fundit, madje Telekomit ia morën edhe 3 milionëshin e Pakos Emergjente Fiskale. /Tv Malisheva