Ministri në detyrë i Drejtësisë Selim Selimi, ka paraqitur sot raportin e punës për vitin 2020, për çka tha se pavarësisht rrethanave të vështira të krijuara si pasojë e pandemisë ministria që e drejton ka realizuar progres të dukshëm në shumë fusha brenda fushëveprimit të saj.

Ai tha se Ministra e Drejtësisë është angazhuar në zbatimin e prioriteteve strategjike të Qeverisë së Kosovës për fushën e drejtësisë dhe në realizmin e objektivave, programeve dhe projekteve sektoriale si pjesë e dokumenteve strategjike të saj.

Gjatë kësaj periudhe, ai tha se është punuar në ndryshime substanciale të legjislacionit në sektorin e drejtësisë, duke rishikuar dhe hartuar projekt-kode, projektligje, koncept-dokumente dhe akte tjera nënligjore. Po ashtu, ai tha se kanë qenë të angazhuar në përmbushjen e kërkesave që dalin nga agjenda evropiane.

Ministri në detyrë i Drejtësisë, tha se gjatë këtij viti kanë formuar grupin punues për hartimin e modaliteteve dhe skenarëve për çështje të reformës në sistemin e drejtësisë, me qëllim të adresimit të Llogaridhënies duke përfshirë edhe vettingun.

Selimi: Konsultime shtesë para se të marrim vendim me cilin skenar do të ecet tutje

“Grupi punues me përbërje gjithëpërfshirëse, i udhëhequr nga shoqëria civile, dhe me përfaqësues nga të gjithë hisedarët e sistemit të drejtësisë, në rolin vendimmarrës, dhe me rol mbështetës të përfaqësuesve nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada e SHBA-së, e Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë, EULEX-i dhe Misioni i OSBE-së. Ky grup tashmë e ka përfunduar punën dhe do t’i kemi edhe disa konsultime shtesë para se të marrim vendim, me cilin nga skenarët do të ecet tutje”, tha ai.

Gjatë këtij viti, Selimi tha se kanë filluar punën për ri-themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë, ndërsa një vëmendje të veçantë i është kushtuar kompensimit të viktimave të krimit.

Selimi: Janë shqyrtuar gjithsej 55 raste të paraqitura dhe shuma e kompensuar është mbi 91 mijë euro

“Kemi filluar punën për ri-themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë. Një vëmendje të veçantë i është kushtuar kompensimit të viktimave të krimit, janë shqyrtuar gjithsej 55 raste të paraqitura, nga të cilat 22 janë aprovuar, dhe shuma e kompensuar është mbi 91 mijë euro”, tha ai.

Reforma e thellë në drejtësi tha se është në përmbyllje përmes rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, për të cilin tha se qëllimi i këtij procesi është të ofrojë një vizion gjithëpërfshirës strategjik për një sektor të konsoliduar të sundimit të ligjit, rritjes së besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, përshpejtimin e zhvillimit ekonomik, dhe përafrimin e Kosovës me BE-në.

Selimi: Gjatë kësaj periudhe është shënuar nisja e fazës së tretë të rishikimit funksional

“Gjatë kësaj periudhe është shënuar nisja e fazës së tretë të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, gjegjësisht fazës së hartimit të Strategjisë Sektoriale për Sundimin e Ligjit. Tanimë e kemi draftin e Strategjisë Sektoriale për Sundimin e Ligjit. Projekt kodet përkatësisht projektligjet, të cilat janë miratuar nga Qeveria janë: Projekt Kodin Civil të Republikës së Kosovës, Projektligjin për Pronën Publike, Projektligjin për të Drejtat Pronësore të Shtetasve të Huaj në Republikën e Kosovës, si dhe Projektligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar për Çështje Penale. Kurse të finalizuar janë: Projekt Kodi i Procedurës Penale, Projektligjit për Avokaturën Shtetërore, Projektligjit për Provimin e Jurisprudencës, Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Projektligji për Gjykatën Komerciale, Projektligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Projektligjin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar për Çështje civile, si dhe Projektligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit”, tha ai.

Po ashtu, ai tha se është punuar edhe në hartimin e disa koncept dokumenteve si Koncept-Dokumentin për Sanksionet e Shёnjestruara për Shkelësit e te Drejtave tё Njeriut; Koncept-Dokumentin për Fondin e Konfiskimit; Koncept-Dokumentin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, si dhe Koncept-Dokumentin për Ekspertizat Gjyqësore.

Selimi tha se janë finalizuar edhe 10 akte nënligjore, duke përfshirë edhe aktet nënligjore që ndërlidhet me obligimet që ka shteti në raport më të akuzuarit nga dhomat e specializuara, me ç’rast tha se është themeluar edhe Komisioni për shqyrtimin e kërkesave të të akuzuarve nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në këtë konferencë, Selimi paraqitur punën e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Selimi: AAPS ka ekzekutuar gjithsej 91 vendime të dërguara nga gjykatat

“Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar ka ekzekutuar gjithsej 92 vendime të dërguara nga gjykatat, për administrimin e pasurisë të sekuestruar ose të konfiskuar. Nga këto vendime, 54 vendime janë për sekuestrim, 22 vendime për konfiskim, 16 vendime për kthimin e pasurive. Gjithashtu, nga 6 ankande dhe janë realizuar të hyra nga shitja në shumën e përgjithshme prej më shumë se 33 mijë euro. Instituti i Mjekësisë Ligjore, ka zbatuar urdhëresat për zhvarrime, duke marrë pjesë në 15 lokacione, 12 lokacione në Republikën e Kosovës dhe 3 lokacione në Republikën e Serbisë, si rezultat i këtyre zhvarrimeve janë gjetur gjithsej 11 trupa- mbetje mortore. Po ashtu, ka kryer autopsi për 230 raste, ekzaminime klinike për 62 raste, si dhe janë punuar 138 analiza nga laboratori i toksikologjisë”, tha ai.

Selimi foli edhe sa i përket avokaturës shtetërore, ku tha se është punuar hartimin e Ligjit të ri për Avokaturë Shtetërore, derisa bëri të ditur se Avokatura Shtetërore ka përfaqësuar institucionet shtetërore në procedura gjyqësore në rreth 950 raste.

Sa i përket shërbimit korrektues, tha se gjatë këtij viti kanë pasur një menaxhim të shkëlqyer të rrethanave të pandemisë, me çka tha se ka rezultuar me një numër tejet të vogël të të burgosurve dhe stafit korrektues të infektuar.

Ndër tjerash, ministri në detyrë i Drejtësisë foli edhe për fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar ku theksoi se tanimë janë proceduar 2254 kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike ndërsa janë realizuar gjithsej 28 ekstradime.

Share.