Përfaqësuesja e Kosovës ka vazhduar me stërvitje në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë, të cilat zhvillohen më 9, përkatësisht më 12 tetor.

Seanca e sotme stërvitore u mbajt në mesditë në Kompleksin e FFK-së në Hajvali, e ku përzgjedhësi Challandes dhe stafi i tij punuan në shumë segmente të lojës, veçmas në lojën nën presion dhe tranzicion të shpejtë, duke pasur parasysh ritmin e lartë të lojës të cilin e aplikon kundërshtari i radhës.

Edhe në këtë stërvitje djelmoshat dardanë punuan me përkushtim të madh, derisa humori i tyre si zakonisht është në nivel. Gëzon fakti që të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë dhe të gatshëm për duelin me suedezët, gjë të cilën e shprehën pas stërvitjes në deklaratat e tyre edhe Herolind Shala dhe Florent Hadërgjonaj.

“Stërvitjet po shkojnë mirë. Sot kemi punuar me intensitet shumë të madh dhe po përgatitemi maksimalisht për ndeshjen. Atmosfera gjithmonë është shumë e mirë dhe të gjithë jemi të kënaqur dhe po e presim me padurim ndeshjen me Suedinë. Normalisht presim një ndeshje të vështirë sepse e dimë se me çfarë ekipi do të ballafaqohemi. Suedia është një ekip me shumë cilësi, por mendoj se mund t’i befasojmë dhe kemi mundësi të marrim pikë. E dimë se “Dardanët” gjithmonë i kemi mbrapa vetes dhe shpresoj të vijnë sa më shumë dhe besoj se do t’i bëjmë krenarë”, ka theksuar Shala.

Ndërkaq, Hadërgjonaj ka thënë se i njohin cilësitë e suedezëve, por si në çdo ndeshje tjetër hyjnë për fitore.

“Besoj se tri ndeshjet e shtatorit kanë qenë shumë të mira dhe kemi bërë hapa përpara. Veten po e ndjej mirë dhe shpresoj se i gjithë ekipi do të vazhdojmë me paraqitje të mira. Të shtunën presim fitore si gjithmonë dhe po përgatitemi bukur mirë për këtë ndeshje. E dimë se çka na pret në Suedi, sepse kanë kualitet, por e njohim si kundërshtar. Atje do të ketë shumë tifozë tanë dhe pa dyshim do të jetë diçka speciale”, është shprehur Hadërgjonaj.

Edhe stërvitjen e nesërme “Dardanët” e zhvillojnë në Kompleksin e FFK-së /TV Malisheva

Share.