Televizioni shtetëror i Venezuelës transmetoi një regjistrim të të arrestuarit amerikan Luke Denman, në të cilin ai pretendon se kishte urdhër të merrte përsipër aeroportin e Karakasit dhe transferimin e presidentit Nicolas Maduro në Shtetet e Bashkuara me aeroplan.

Autoritetet e Venezuelës arrestuan një tjetër shtetas amerikan, Erian Berry, dhe 11 “terroristë” të tjerë së bashku me Denman, 34-vjeç, të hënën, dhe Maduro tha se të arrestuarit kishin një plan për të hyrë në vend përtej bregdetit të Karaibeve në koordinim me Uashingtonin.

“Donald Trump është drejtuesi i drejtpërdrejtë i këtij pushtimi”, tha Maduro në një koment për televizionin pasi u shfaq videoja me Denman.

Presidenti Trump ka mohuar përfshirjen e SHBA në incident, dhe sekretari i Shtetit Mike Pompeo tha qeveria do të përdorë të gjitha mjetet për të siguruar kthimin e amerikanëve të arrestuar në Venezuelë.

Denman tha se misioni i tij ishte kapja dhe sigurimi i aeroportit, por nuk është e qartë se si Maduro ishte menduar të përfundonte në aeroplan.

Në mars, Departamenti i Drejtësisë i SHBA akuzoi Maduro dhe 12 zyrtarë të tjerë të Venezuelës për narko-terrorizëm dhe administrata Trump ofroi 15 milionë dollarë për informacione që do të çonin në arrestimin e tij, transmeton KosovaPress.

“Unë i ndihmova venezuelasit të rimarrin pushtetin mbi vendin e tyre,” tha Denman në video.

Denman dhe Barry janë ish-anëtarë të Njësive të Operacioneve Speciale, të cilët kanë punuar me Jordan Gord, një veteran ushtarak amerikan që drejton një kompani sigurie me seli në Florida, Silverkorp USA. Ata ishin menduar të stërvitnin rreth 50 venezuelas në Kolumbinë fqinje për operacion.

Denman tha që Gord siguronte pajisjet. Sipas tij, Silverkorp nënshkroi një kontratë me opozitën venezuelase të Juan Guaido në mënyrë që të rrëzonte Maduro.

Në një deklaratë, ekipi i Guaido kundërshtoi lidhjen me “çdo kompani që merret me siguri ose mbrojtje”, përfshirë Silverkorp. Venezuela ka njoftuar se do të kërkojë ekstradimin e Gord./ Tv Malisheva

Share.