Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se nuk do të ketë faktor që do të mund të amnistojë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë.
Këto komente kreu i shteti i bëri pas homazheve te memoriali “Heroinat” në Prishtinë.
Thaçi ka përmendur dhunimin e mbi 20 mijë grave shqiptare, gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë, për çka tha se nuk ka drejtësi as lokale, as të bashkësisë ndërkombëtare për këto krime. Presidenti tha se heshtja ndërkombëtare në një formë ka amnistuar gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë.
Thaçi: Nuk do të ketë faktor që mund të amnistojë krimet e Serbisë në Kosovë
“Kujtojmë edhe viktimat apo dhunimet e mbi 20 mijë grave shqiptare nga shteti i Serbisë, kështu që edhe sot ky nderim është nderim dhe përkujtim shtetëror për përdhunimet që kanë ndodhur nga shteti i Serbisë, por edhe në të njëjtën kohë përkujtim i dinjitetit, i krenarisë dhe rezistencës së heroinave shqiptare në luftë për liri dhe pavarësi të radhitura në radhët e UÇK-së. Për fat të keq, ende nuk ka drejtësi as lokale, as të bashkësisë ndërkombëtare për këto krime, për këtë spastrim etnik, këtë krim kundër njerëzimit, për gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Kjo heshtje ndërkombëtare e ka amnistuar gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë. Por nuk ka kohë dhe nuk do të ketë faktor që mund të amnistojë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Nuk ka paqe pa drejtësi, në këtë drejtim duhet të punojmë të gjithë së bashku”, tha ai.
Presidenti Thaçi tha se këto ditë po përkujtohet gjenocidi i Serbisë i kryer në Kosovë, gjenocid që tha se është konfirmuar dhe i njohur botërisht.
Thaçi: Po kalojmë periudhën e 20-vjetorit të dëbimit masiv të 1 milion shqiptarëve të Kosovës
“Po kalojmë periudhën e 20-vjetorit të dëbimit masiv të 1 milion shqiptarëve të Kosovës, por edhe të përkujtimit të vrasjes së mbi 10 mijë shqiptarëve nga shteti i Serbisë, mbi 400 masakra masive kundër shqiptarëve, vrasjes së 1 mijë e 300 fëmijëve shqiptarë. Por, në tërë këtë përpjekje për liri, pavarësi e shtet, kontributi i gruas shqiptare, femrës shqiptare qoftë në istikamin e luftës, qoftë në forma të tjera të rezistencës ka qenë jetik dhe vendimtar për mobilizimin e njerëzve, për krijimin e kohezionit gjithë popullor dhe kjo është produkt i kurajës së tyre, i edukimit të tyre në familje që të kemi sa më shumë luftëtarë të lirisë dhe ky monument dhe ky nderim që sot i bëjmë është një nderim për femrën shqiptare, për heroinat tona që dhanë gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Është vlerësim për punën e palodhur të tyre, për heroizmin e tyre të paparë në rajon dhe në botë”, tha ai.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nuk ka pranuar t’iu përgjigjet pyetjeve të gazetarëve rreth çështjeve politike në vend./Tv Malisheva