- Reklamë e sponsorizuar -

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, sonte u është drejtuar qytetarëve të vendit për herë të parë pas propozim-aktakuzës nga Specialja për kinse krime lufte. Ai ka thënë se ligjin e vetëm që ka shkelur është ai i kriminelit Sllobodan Millosheviq, teksa ka bërë të ditur se do të jep dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza ndaj tij.

Ai në një video-incizim prej rreth 18 minutash adresuar qytetarëve ka thënë se gjatë karrierës së tij gabime politike në paqe mund të ketë bërë, por krime lufte asnjëherë.

Thaçi ka thënë se edhe po të kthehet mbrapa në kohën, të cilën e ka quajtur të zezë të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq, do të bënte të njëjtën gjë, duke iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etjes për liri dhe duke mos i hyrë kurrë në hak asnjë qytetari serb, rom apo shqiptar.

Ai ka thënë po ashtu se mbi dy dekada i ka mbështetur iniciativat për ngritjen e gjykatave me përfshirje apo mbikëqyrje ndërkombëtare.

Ky parim sipas tij, mbetet i njëjtë edhe sot: “Kur jam unë, Hashim Thaçi, që personalisht do të mund të përballem me një gjykatë për të cilën kam dhënë mbështetjen time politike, me fjalë e me vote”.

Thaçi: Kush thotë se qenkam bërë pengesë i kësaj gjykate, është i keq informuar

“Vendimi im ishte strategjik në përputhje me vizionin për të ardhmen e Kosovës. Dhe nuk kam shikuar për përfitime ditore e politike. Sot, kush thotë se qenkam bërë pengesë, madje edhe sabotues i kësaj gjykate, në rastin më të mirë është i keq informuar dhe në rastin më të keq është tendencioz. Por, nga ana tjetër, dikush duhet ta bëjë bilancin e këtyre 21 viteve hetime, procese dhe gjykime për krimet e luftës në Kosovë. Të dashur qytetarë, Unë do të isha njeriu më i lumtur nëse do të shihja se bashkësia ndërkombëtare aplikon standarde të njëjta mes Kosovës e Serbisë në adresimin e krimeve të luftës. Fatkeqësisht, jo vetëm që nuk e shoh këtë standard e proporcionalitet, por shoh të kundërtën e tij. Dhe ja ku jemi sot. Serbia ecën në rrugën e negocimeve për anëtarësim evropian, ndërsa Kosova nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë! Natyrisht që unë nuk shoh këtu ndonjë komplot kundër Kosovës. Por është fakt dallimi në qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj dy vendeve”, tha presidenti Thaçi.

Në video-adresimin e tij, presidenti i vendit thotë se megjithatë nuk dëshiron të zgjatet sot me këtë temë krahasimi të proporcioneve të drejtësisë për krimet e luftës, e cila me siguri do të zërë vend në historinë e drejtësisë dhe politikës ndërkombëtare si një faqe e zymtë e tyre për këto dy dekada.

Thaçi thotë se në këto dy dekada ka pasur privilegjin të ketë mbështetjen e shumicës prej qytetarëve, duke shërbyer në krye të institucioneve më të larta shtetërore. Natyrisht, në këto dy dekada, ai tha se pa dashje, ka bërë edhe ndonjë lëshim.

Ai në vazhdim ka thënë se kishte mbajtur mbi kurriz shumë akuza dhe shumë ofendime gjatë tërë këtyre viteve, por, një gjë është e sigurt se ‘nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë qoftë edhe një provë të vetme në adresën e Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji’.

Thaçi: Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit

“Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit. Unë nuk jam i ramë prej qiellit dhe nuk jam shenjtor. Fati im në rrethana krejt të veçanta historike ma përcaktoi vijën e jetës dhe të sjelljes sime. Politika nuk ishte asnjëherë burim jetese për mua, por mision i shenjtë për t’i shërbyer vendit dhe juve qytetarë të dashur. Nuk gjendet as në Kosovë e askund në këtë botë dikush që t’i kem borxh. Por, kujtdo që ma ka dhënë edhe vetëm njëherë votën përgjatë gjithë kësaj pjese të karrierës sime që ende vazhdon, sonte dua t’i them: Me fal në qoftë se s’kam bërë gjitha ato që ke pritur prej meje, por të jesh i bindur që besimin tënd nuk e kam shpërdoruar. Përkulem para besimit tuaj”, tha presidenti Thaçi.

Ai po ashtu ka shtuar se Kosova po hyn në një kapitull të ri dhe aspak të lehtë, por kjo nuk është asgjë e re, pasi historia jonë ka pasur shumë periudha të vështira. Thaçi tha se ky është një kapitull i ri edhe për të dhe në këto momente ende nuk e dinë se sa i vështirë do të jetë.

Thaçi: S’di a ishte rastësi apo intrigë që në mes të rrugës për SHBA doli njoftimi për aktakuzë të pakonfirmuar

“Nuk e di a ishte rastësi apo ishte intrigë që – në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë – doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar. A thua ky do të jetë çmimi i fundit që duhet paguar për lirinë e Kosovës? Rrugën ma prenë. Por, nuk ma cenojnë besimin në vlerat që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shtëpia e Bardhë për mua dhe për qytetarët e Kosovës. Në praktikën e drejtësisë në botën e qytetëruar, lajmërimi publik i një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, është një skandal i madh”, tha ai.

Thaçi po ashtu ka thënë se asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë.

Ai ka thënë se nëse aktakuza konfirmohet, menjëherë do të jep dorëheqje si president.

Thaçi: Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President

“Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si president i juaji dhe do të përballem me akuzat. Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam. Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e OKB-së, NATO-s dhe BE-së”, tha presidenti Thaçi.

Ai në fund ka thënë se Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, një shtet evropian e një shoqëri multietnike: “I them edhe një herë JO hakmarrjes dhe PO tolerancës ndëretnike”. Thaçi në fund tha se vetëm duke ndërtuar demokracinë qytetare ndërtojmë të ardhme euroatlantike./Tv Malisheva

- Reklamë e sponzorizuar -