Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) parashikon një recesion global prej 6 për qind këtë vit.

Sidoqoftë, OECD paralajmëron se, në rastin e valës së dytë të pandemisë COVID-19, rënia e GDP-së botërore mund të arrijë 7.6 për qind, transmeton KosovaPress.

Në skenarin e parë të OECD-së, parashikohet që, pas një rënie prej 6 për qind, ekonomia botërore do të rritet me 5.2 për qind në vitin 2021, sipas parashikimeve të azhurnuara të organizatës.

Sidoqoftë, nëse skenari i dytë i një recesioni të thellë prej 7.6 për qind në vitin 2020 realizohet, atëherë viti i ardhshëm rritja do të ishte shumë më e ngadaltë dhe do të arrinte 2.8 për qind.

OECD parashikon që ekonomia amerikane, më e madhja në botë, do të regjistrojë një rënie 7.3 për qind këtë vit, dhe më pas një rritje 4.1 për qind në vitin 2021. Nëse ka një valë të dytë të infeksionit, ekonomia amerikane mund të fundoset me 8.5 për qind këtë vit dhe të rritet vetëm 1.9 për qind vitin e ardhshëm.

Sipas kësaj organizate, Eurozona pret një rënie prej 9.1 për qind në vitin aktual, dhe më pas një rritje prej 6.5 për qind në vitin tjetër, ndërsa në rastin e valës së dytë të COVID-19, rënia mund të arrijë 11.5 për qind, dhe rritja në vitin 2021 do të arrinte 3.5 për qind.

OECD parashikon recesionin më të thellë për Britaninë, 11.5 për qind këtë vit, për të regjistruar një ngritje ekonomike 9 për qind vitin e ardhshëm, por në rast të një vale të dytë të infeksionit, GDP britanike mund të bie edhe më thellë, me 14 për qind këtë vit dhe në vitin 2021 do të rikuperohej me 5 për qind.

Parashikimet e azhurnuara shprehen se humbja e të ardhurave deri në fund të 2021 do të tejkalojë nivelin e humbjeve nga çdo recesion në njëqind vjetët e fundit, duke përjashtuar periudhën e luftës, dhe se do të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata për qytetarët, bizneset dhe qeveritë.

“Politikat monetare dhe rritja e borxhit publik janë të domosdoshme dhe të pranueshme për sa kohë që aktiviteti ekonomik dhe inflacioni janë nënshtruar dhe papunësia është e lartë,” shkruan kryekonomisti i OECD, Lawrence Bonn në parathënien e raportit mbi perspektivën globale ekonomike./ Tv Malisheva

Share.