Katër ditë para se të intervistohet presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nga Prokuroria Speciale në Hagë, deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme plenare kanë votuar rezolutën për unitet politik dhe qytetar në mbrojte të vlerave të luftës së UÇK-së.
Kjo rezolutë u përkrahë nga të gjitha partitë politike, përveç grupit parlamentar të Vetëvendosjes. Deputetët e kësaj të fundit insistonin që kjo rezolutë të harmonizohet dhe bashkërendohen edhe me grupin parlamentar të tyre. Por një gjë e tillë nga inicuesja deputetja e AKR-së, Mirlinda Sopi-Krasniqi insistojë që kjo të votohet sot.
Shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi duke kërkuar harmonizim në tekstin e rezolutës, tha se deputetët që e kishin votuar Gjykatën Speciale tash po përdorin standarde të dyfishta.
Selimi: Pse nuk kërkuat unitet edhe në 2015 për të mbrojtur pastërtinë e luftës së UÇK-së,
“Pse nuk kërkuat unitet edhe në 2015 për të mbrojtur pastërtinë e luftës së UÇK-së, por kërkonit unitet për të kundër për të votuar Gjykatën Speciale. A nuk ishte UÇK-së e pastër edhe kur kërkonit që kjo gjykatë do të pastrojë luftën e drejt të UÇK-së. Pra nuk e sollëm vet këtë gjykatë që tash po ankohemi. Nuk do të duhej të kishte standarde të dyfishta askush kur bëhet fjalë për një gjë kaq të rëndësishme, sidomos kur bëhet fjalë për luftën e drejtë”, tha ai.
E, Selimit i reagoi, inicuesja e rezolutës, Mirlinda Sopi-Krasniqi e cila i kërkoi atij të bëhen bashkë në raport në Serbinë.
Krasniqi-Sopi: Ejani të bëhemi bashkë dhe unik kur të bëhet fjalë për çështjen kombëtare në raport me Serbinë
“Po kërkojë nga ju sot që të bëheni ferë dhe t’i leni fjalët boshe. Hajdeni të bëhemi bashkë dhe unik kur të bëhet fjalë për çështjen kombëtare në raport me Serbinë”, tha ajo.
Ndërkaq, deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj tha se pas propozim-aktakuzave ndaj dy liderëve të UÇK-së është mundësi e fundit për unitet për të dëshmuar bashkimin karshi Serbisë.
Haradinaj: Është moment historik të bashkojmë forcat
“Sot nuk mendoj që është momenti më i përshtatshëm që të hedhim gurë nga njëri tjetër se kush ka më shumë faj, apo meritë në këtë situatë që jemi. Një aktakuzë, apo tendencë për me u ngritë, nga një prokurorë i cili e publikon akoma pa u konfirmuar është shkelje flagrante. Ky kuvend e ka përgjegjësinë me trajtu këtë sjellje, po ashtu edhe ftesa që i ka ardhur presidentit është në të njëjtën kohë, pasi është dorëzuar aktakuza, edhe këtu ka shkelje… është moment historik të bashkohemi forcat të dëshmojmë se jemi unik përballë Serbisë sepse drejtpërdrejt kemi punë me Serbinë”, tha ai.
Pro kësaj rezolute u shpreh edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza.
Hamza: Uniteti është i nevojshëm
“Uniteti është i nevojshëm dhe kurrë nuk është i tepërt dhe kurrë nuk është vonë të kërkohet unitet për çështje të caktuara. Prandaj ashtu siç e përkrahëm për t’u futur në rend të ditës, GP i PDK-së do të përkrahë edhe në votim”, tha ai.
Por reagimeve kundër LVV-së iu kundërpërgjigj, deputeti i kësaj partie, Liburn Aliu i cili tha se janë të gatshëm gjithherë për një rezolutë në mbrojtje të UÇK-së.
Aliu: Jemi të gatshëm të sjellim rezolutë që kemi pasur përherë
“Unë po ju sigurojë që LVV-ja edhe deputetët e saj dhe unë personalisht jemi të gatshëm që në këtë kuvend të sjellim rezolutë në frymë që e kemi pasur përherë. Në lidhje me luftën e UÇK-së dhe Gjykatës Speciale”./ Tv Malisheva