Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama janë bërë bashkë në Shkup në kuadër të Forumit ekonomik për bashkëpunim rajonal, ajo që njihet si “minishengen ballkanik” por që tani pritet të marrë një emërtim të ri. Në hapjen e këtij forumi, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se ky proces është autentik i këtyre tri shteteve por që nisma është e hapur për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Zaev tha se vetëm me një rajon të ndërlidhur dhe të integruar mund të lëvizet tutje drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Jam këtu që të flas për qytetarët tanë, për vendet tona, për idetë tona dhe për ballkanin tonë evropian, për ballkan perëndimor, për këtë rajon të hapur, për një rajon dhe nismë e cila sot do të prezantohet me një emër të ri, emër i cili pasqyron realitetin e ri që promovohet sot nga të gjithë ne këtu. Liderët, qytetarët e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera nga rajoni gjithë së bashku i japin një impuls të ri të hapësirës së re ekonomike të tregut të ndërlidhur ekonomik”, tha Zaev.

Ai tha se nisma është me vlera evropiane meqë në vete i përfshinë katër liritë e Bashkimit Evropian, lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve.

“Jam i bindur se kjo do të njihet si nisma për nder, respekt si në Bruksel ashtu edhe në Uashington. Si shtesë, konsideroj që ky bashkëpunim rajonal mund të bëjë një kontribuim serioz në relaksimin e marrëdhënieve politike në rajon. Jemi të hapur për gjithë nismat që ecin në drejtim të fuqizimit të bashkëpunimit rajonal dhe të cilat përshpejtojnë procesin e integrimin në Bashkimin Evropian të gjithë vendeve nga Ballkani Perëndimor. Ky është një proces autentik i përbashkët i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, mirëpo prej fillimit them se nisma është e hapur për gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, tha Zaev.

Zaev ka folur për nismën rajonale në hapjen e Forumi ekonomik për bashkëpunim rajonal ku ka thënë se qëllim kryesor e kanë të mos ketë ndalje në kufi dhe siç tha ai për t’i aftësuar liritë që i parashohin, fillimisht do të nënshkruajnë një marrëveshje që ai e quajti të rëndësishme, dhe dy memorandume bashkëpunimi.

“Të përgatisim të gjitha politikat qeveritare për lëvizje të lirë të shërbimeve përmes pranimit të ndërsjellë, kualifikime profesioniste me ndërhyrje të sistemit pa leje për tranasfer të kompanive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me njohjen e nënshkrimeve elektronike dhe shërbimeve të tjera, dhe e treta është sigurimi i lëvizjes së popullatës duke lehtësuar lëvizjen e studentëve, biznesmenëve, ekspertëve, zgjerimet e shërbimeve turistike në rajon, e katërta është të lehtësohet lëvizja e kapitalit me lehtësim të kornizës rregullore për tregun financiar. Për t’i aftësuar këto liri për fillim do të nënshkruajmë një marrëveshje të rëndësishme me tutje edhe dy memorandume të rëndësishëm për bashkëpunim që t’i sigurojmë kushtet për zbatimin e këtyre lirive”, shtoi ai.

Ndër të tjera, në këtë forum, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev tha se mossuksesi i Bashkimit Evropian për të përmbushur premtimet për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE, të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë, dhe mos liberalizimi i vizave për Kosovën, është kundër idesë evropiane dhe interesave të vet Bashkimit Evropian./TV Malisheva

Share.